500 të moshuar ndërhyrje dhe lente falas në dy muajt e parë të vitit

17

Më shumë se 500 gjysheve dhe gjyshërve iu është rikthyer drita e syve në dy muajt e parë të vitit 2023, falë profesionalizmit të ekipit të mjekëve okulistë në QSUT, ku kryhet ndërhyrja e kataraktës dhe lentet falas.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila theksoi se “mbi 3700 pacientë/vit përfitojnë falas ndërhyrjen e kataraktës dhe lentet, në QSUT dhe në spitale rajonale, me financim 100% nga shteti”.

“Operacioni më i shpeshtë që kryhet në klinikë zakonisht ndeshet në moshat e treta mbi 60 vjeç, është operacioni që kryhet me ultratinguj ku bëhet i mundur kristalimi i perdes më pas implantohet vendoset një lente brenda në sy, e cila bën të mundur rikthimin e shikimit tek këta pacientë, shikimi që ka marrë perdja. Përfitimi i pacientëve është i mundur që në ditët e para pas operacionit, kthehet shikimi që ato kanë pasur në momentet para se të fillonte perdja”, thekson doktoresha Eralda Leci, kirurge oftalmologe në QSUT.

Doktoresha Leci tha se “në moment që çdo pacient mund të ndiejë ulje të shikimit në njërin sy apo në të dy, gjëja e parë që duhet të bëjë është të bëjë kontrollin rutinë tek mjeku i familjes dhe pastaj tek okulisti i lagjes. Në varësi të problematikave ai referohet në qendrën spitalore në rastin e kataraktës, të cilat kanë nevojë për trajtim jo për operacion”.

Zgjerimi i shërbimeve shëndetësore falas ka ulur shpenzimet nga xhepat e qytetarëve. Më parë një ndërhyrje e tillë kushtonte rreth 35 mijë lekë të reja/lente, sot ndërhyrja dhe lentet janë falas. Ky është një hap përpara drejt mbulimit shëndetësor universal.

ata.gov.al