1-Pranojeni dështimin
Pranojini gabimet tuaja, mos u mundoni t’i fshihni ato. Gabimet janë pjesë e qenies njerëzore prandaj mund t’i ndodhin kujtdo. Shumë prej njerëzve më të suksesshëm të historisë kanë pasur dështime gjatë karrierës së tyre, por janë ringritur, duke mësuar prej tyre dhe duke i konsideruar si përvoja të pashmangshme në rrugën e tyre drejt suksesit. Pra fillimisht duhet ta pranoni dështimin dhe më pas ta shndërroni atë në diçka pozitive.
2-Mërzitja është pjesë e këtij procesi
Nëse periudha në të cilën po kaloni nuk është më e suksesshmja do të ndiheni të mërzitur dhe të pamotivuar. Ndjesi të tilla janë shumë të zakonshme në këto situata dhe këshillohet që të mos e ndrydhni dhe ta sforconi veten duke i fshehur ato.
3-Reflektoni
Gabimet nuk duhet t’i fshihni por t’i pranoni dhe më e mira e mundshme të nxirrni mësime prej tyre, të cilat do t’ju ndihmojnë që në situata të ngjashme të ndiqni rrugën e duhur dhe të mos i përsërisni për herë të dytë.
Më poshtë do të gjeni disa pyetje, përgjigjet e të cilave do t’ju ndihmojnë që ta kaloni dështimin me lehtësi dhe të nxirrni edhe prej tij faktorët më pozitivë:
- Çfarë mësimi nxora nga kjo situatë?
- Cilët janë 3 anët pozitive të kësaj situate?
- Si ka ndikuar një situatë e tillë tek unë si individ?
4-Tregohuni të përgjegjshëm
Të pranoni gabimet do të thotë të merrni përsipër përgjegjësitë që ju takojnë. Nëse ju i pranoni gabimet tuaja dhe mësoni prej tyre, një gjë e tillë është shumë pozitive, pasi ju do të krijoni përshtypje shumë të mirë te të tjerët, si një njeri që i merr përsipër përgjegjësitë e tij dhe pse jo ata do t’ju mbështesin në sfidën tuaj të radhës.
5-Nxirrni në pah se çfarë do të thotë një situatë e tillë për ju
Përcaktoni sërish objektivat tuaj. Konsiderojeni këtë fazë si një mësim i domosdoshëm dhe si një përvojë të vlefshme, e cila do t’ju ndihmojë për të kaluar në një fazë tjetër më të rëndësishme.
Sipas Robert Spadinger, në librin e tij “Pick the Brain”, ai ka dhënë disa përcaktime të dështimit, të cilat mund t’ju ndihmojnë në kalimin e këtij procesi të vështirë:
- Dështimi është treguesi më i mirë se një qasje e caktuar mbase nuk është ajo e duhura në një situatë, prandaj duhet ta provoni edhe një herë tjetër dhe pse jo t’ia dilni me sukses.
- Çdo herë që ju dështoni, frika ndaj një situate të tillë sa vjen edhe zvogëlohet, gjë kjo që ju ndihmon edhe për të ndërmarrë hapa edhe më të rëndësishëm.
- Nuk ka rëndësi fakti se sa herë ju mund të dështoni deri në momentin që çdo dështim e shndërroni në një sfidë të re, gjatë së cilës do të ndërmerrni hapa edhe më të mëdhenj.
6-Mos u mposhtni nga dështimi
Ky hap është edhe më i rëndësishmi nga të tjerët për të parë nëse ju keni forcë për ta mposhtur dështimin dhe të ringriheni. Mposhteni dështimin me kokën lart dhe konsiderojeni atë si një proces shumë të natyrshëm që mund t’i ndodhë cilitdo prej nesh. Një gjë e tillë do t’ju ndihmojë që edhe kur të nisni projektin e ri, të keni më shumë forcë dhe, mbi të gjitha, të mos bëni të njëjtat gabime si më parë.
Burimi: Revista Monitor