Nga Allison Green*
Për një kohë të gjatë, Shqipëria ka qenë injoruar si destinacion turistik. E kuptoj. Vendit i është dashur të ringrihet. Për vite me radhë, Shqipëria ishte nën një prej regjimeve komuniste totalitare më shtypës në historinë – edhe Koreja e Veriut ka më shumë partnerë tregtarë dhe diplomaci, se sa Shqipëria tridhjetë vjet më parë. Ajo doli nga prangat e totalitarizmit në vitin 1991, praktikisht pa PBB pa një ekonomi. Një skemë piramidale në mbarë vendin, ku shqiptarët humbën një total prej 1.2 miliardë dollarë (një pasuri e vërtetë, po të kesh parasysh që shqiptarët kishin pasur vetëm gjashtë vjet treg të lirë) në vitin 1997 e zhyti vendin në kaos.
Por gjërat janë shumë, shumë ndryshe tani, dhe ndërsa vendi ka ende shumë rrugë për të bërë, që të arrijë fqinjët e vet në Evropë, ai është duke bërë hapa të mëdha në drejtim të progresit të qëndrueshëm. Shqipëria është një vend me një histori të gjatë, gati 5000 vite, me ndikim të fortë nga ilirët, grekët, romakët, venedikasit, bizantinët dhe osmanët.
Eshtë miopi ta përmbledhësh Shqipërinë, si vetëm atë që ka ndodhur gjatë shekullit të fundit. Po, Shqipëria ka vuajtur, por ajo po ringrihet me një forcë të pabesueshme, dhe po rishfaqet me të drejtë si një destinacion turistik.
Ja 75 arsye përse duhet të vizitoni Shqipërinë, sa më shpejt që të jetë e mundur:
- Eshtë jashtë rrugës së shkelur. A imagjinoni dot të shkoni në rrënoja romake 2000-vjeçare, dhe të mos ju duhet që t’u kërkoni vazhdimisht njerëzve t’ju lirojnë rrugën? Në Shqipëri jo vetëm është e mundur – ndodh gjithë kohës.
- Nuk është thjesht e përballueshme – është e lirë. Udhëtimi kudo në Ballkan, me përjashtim të Kroacisë, është i lirë krahasuar me Evropën Perëndimore. Por Shqipëria është shumë më pak e kushtueshme se sa fqinjët e saj, sidomos kur është fjala për shpenzimet e tranzitit dhe ato ushqimore. Një udhëtim me autobus gjashtë orë kërkon vetëm $ 7 USD; një gjiro $1 USD; një vakt me tre pjata dhe një ekspres, $ 8USD.
- Plazhet janë më të mirët në Evropë. Më vjen keq Kroaci, Itali, Greqi e Mal i Zi, e di që nuk do të bini dakord, por Shqipëria ka plazhet më të mirë në gjithë Evropën. Plazhet me gura e bëjnë ujin e kristaltë të mrekullueshëm, dhe të duket sikur jeta jote reale është përpunuar në Photoshop.
- … Dhe ata nuk janë të mbushur me njerëz. Ndryshe nga fqinjët më të famshëm veriorë e jugorë, ju do të keni mjaft hapësirë për veten kur shkoni në plazh në Shqipëri. Gjithashtu ka plot plazhe të fshehura, që mund t’i keni tërësisht për vete, me pakëz krijueshmëri (apo edhe pak guxim!)
- Populli shqiptar është shumë bujar. Kurrë në jetën time nuk më janë ofruar më shumë gjëra – Qoftë kjo një tortë në anën e një rruge nga dikush që e pyeta për orientim, gjysma e drekës së dikujt me të cilin po ecja, një kafe ekspres në një kafene, ose raki (kaq shumë raki).
- Perëndimet e Diellit përgjatë bregdetit janë të pabesueshme. Nga shumë pika përgjatë Rivierës, ju do shihni perëndime që të lënë pa frymë, po aq të bukur sa të Kroacisë ose të Greqisë – me një çmim shumë më të ulët.
- Duhet të mësoni marrëdhënien dashuri-urrejtje me rakinë. Rakia është një pije alkoolike e distiluar zakonisht nga rrushi apo kumbullat, shumë popullore në të gjithë Ballkanin, por veçanërisht e dashur në Shqipëri. Netët më të bukura (dhe mëngjeset më të këqinj) janë zakonisht për meritë të rakisë
- Besa është shumë e rëndësishme për shqiptarët. Për shekuj të tërë, shqiptarët kanë zbatuar kodin e “besës”, që praktikisht do të thotë se është detyrë e tyre të kujdesen për njerëzit që kanë nevojë. Kjo do të thotë që, edhe nëse udhëton i vetëm nëpër Shqipëri, në të vërtetë nuk do të jesh kurrë vetëm.
- Shqiptarët janë të etur për të ndryshuar imazhin e tyre. Shqiptarët janë të vetëdijshëm se ata janë asociuar me mafiozë dhe gangsterë, dhe shumë shqiptarë, me hidhërim m’u shprehën se “ne nuk jemi të gjithë si tek filmi Taken”. Gjë që është e vërtetë – kurrë nuk u ndjeva i pasigurt ose i padëshirueshëm gjatë tre javëve që qëndrova në Shqipëri.
- Shqiptarët janë të ndershëm. Unë gjithmonë i kam sytë katër për mashtrime, teksa më kanë grabitur pa kaluar as 12 orë në Hanoi. Në Shqipëri, nuk mu desh shqetësohem fare. Ndërkohë, në Shqipëri, një njeri i cili i theu disa para një mikut tim, rendi me vrap nëpër rrugë që të kapte autobusin për të na gjetur, i frikësuar se nuk na kish dhënë kusurin e duhur (në fakt na e kish dhënë).
- Vendi është i sigurt. Shqipëria është po aq i sigurt sa edhe vendet e tjerë të Evropës. Ju jeni më pak në rrezik nga krime të vogla në Shqipëri se sa, të themi, në Madrid, Barcelonë, Romë, apo Paris, dhe krimi i dhunshëm është shumë i rrallë.
- Ngacmimi në rrugë është shumë i pazakontë. Si një grua që udhëton vetëm, shpesh jam objekt i ngacmimeve në rrugë, që më bëjnë të ndihem në siklet, e pasigurt, dhe e irrituar. Në kohën e qëndrimit në Shqipëri, as edhe një njeri nuk më shqetësoi në rrugë, edhe kur ecja vetëm natën vonë në Tiranë. Ishte një frymëmarrje ajri të freskët, të shëtisje duke patur rretherrotull njerëz të tillë të respektueshëm.
- Shqiptarët japin udhëzimet më të mira. Që do të thotë se ata janë ose shumë të detajuar në qoftë se flasin anglisht, ose shpesh të shoqërojnë deri në destinacion, sepse ata druhen mos humbni. Pasi një stuhi gjestesh me dorë nuk bëri asgjë, një grua plakë me shapka shtëpie, më tërhoqi nga trikoja që kisha lidhur përreth belit, duke më çuar deri në një parvaz, në mënyrë që të më tregonte si të ngjitesha në Kalanë e Beratit, nëpërmjet rrugës së pasme.
- Ka shumë fortesa e kështjella që mund të eksploroni. Shumica kanë shumë pak infrastrukturë, si pllaka informuese apo shenja paralajmëruese, kështu që ju do të ndiheni pak si Indiana Jones, teksa do të eksploroni krejt të vetëm kështjellën.
- Shqiptarët i duan shumë amerikanët. Dakord, kjo është ndoshta emocionuese vetëm për mua dhe bashkatdhetarët e mi, por ne jemi jo aq popullorë në disa pjesë të Europës. Por në Shqipëri, amerikanët janë shumë të dashur – aq shumë sa që ata kanë quajtur edhe një rrugë me emrin Xhorxh Bush në Tiranë. Qyteti i Fushë-Krujës, të cilin ai e vizitoi, ka edhe një statujë të tijën! Ju do të gjeni një statujë të Hillary Clintonit në Sarandë, Shqipëri.
- Por në fakt, shqiptarët duan të gjithë të huajt. Nuk do të ndihesh askund më special si turist, se sa kur viziton Shqipërinë. Unë udhëtoja me shumë australianë dhe duhej të shihnit shprehjet në fytyrat e njerëzve kur mësonin se disa persona nga Australia po vizitonin vendin e tyre. Ishte një përzierje konfuzioni, ngazëllimi dhe krenarie.
- Harrojini autobusët dhe avionët – Shqipëria ka vetëm furgonë. Furgonët janë minibus-ë, që shpesh janë Mercedes-ë të konvertuar për të nxënë sa më shumë njerëz. Janë institucione demokratike – i pari që vjen zë vendin më të mirë, dhe pastaj ata të zbresin ku të duash, dhe paratë t’i marrin në bazë të distancës që udhëton. Sigurisht, disa sedlije nuk janë aq të rehatshme, sidomos ato mbi rrota, por unë gjithësesi e pëlqej shumë furgonin modest.
- Ta themi ndershmërisht, transporti publik është i besueshëm – thjesht është ndryshe. Furgonët të shpien kudo që ke nevojë, ndonëse ndonjëherë të duhet të këmbesh. Herë pas here, në rrugë më pak të rrahura, minibus-i nuk shkon përditë, dhe me fundin e sezonët, ata janë më të rrallë. Megjithatë, unë vizitova në mesin e tetorit, kur sezoni kish marrë fund, e prapëseprapë disa rrugë ende zhurmonin. Udhëtova nga Korca në Berat e nga Berati në Vlorë, pa problem, në kohë – në fakt, ndonjëherë edhe më herët!
- Infrastruktura po përmirësohet. Kisha dëgjuar se rrugët në Shqipëri janë të tmerrshme – u lumturova që zbulova se në fakt, nuk ishte kështu. Nga të gjithë rrugët që mora, vetëm njëra ishte vërtetë shumë e keqe, dhe kjo vetëm sepse po punonin në rrugën kryesore dhe na devijuan. Nëse udhëtoni në Shqipërinë shumë rurale, do të ndeshni në disa rrugë të këqia, por rrugët kryesore që lidhin qytetet bregdetare, tiranën, Shkodrën dhe disa qytete jugore si Berati, gjirokastra dhe Korca janë shumë mirë. Thënë kjo, ka ende disa të meta. Nuk ka program kombëtar riciklimi dhe mbeturinat mbeten ende një problem i madh. Tirana dhe qytete të tjera shqiptare kanë një program të admirueshëm për vaksinimin e qenve, por është një proces i ngadaltë. Sidoqoftë, po të mendosh që ekonomia e vendit e nisi praktikisht nga hici në vitin 1991, mendoj se kanë bërë shumë hapa përpara.
- Në shumë pjesë të vendit mund të pish ujë edhe nga rubineti. Kisha dëgjuar se uji i rubinetit në Shqipëri ishte krejt i papijshëm. Aspak e vërtetë! E kam pirë pa probleme në Sarandë, Tiranë, Shkodër, Berat e Korcë – gjithmonë duke pyetur fillimisht një vendas, për të qenë e sigurtë.
- Ata gatuajnë ushqim të shkëlqyer italian. Shqipëria është kaq pranë Italisë, saqë kanë përthithur shumë prej kulturës së saj. Pica në Shqipëri është e cilësisë së lartë, gjëja e dytë më e mirë se sa vetë pica italiane.
- Bregdeti ka ushqim deti të mrekullueshëm. Mund të hash peshk, kallamarë, midhje të mrekullueshme… të gjitha me cmime të ulët dhe shumë të freskëta. Lart në veri në Liqenin e Shkodrës, trofta është gjithashtu shumë e shijshme.
- Gjellët vendëse janë të mrekullueshme. Specialitetet tradicionale shqiptare si tavë kosi dhe patëllxhanë të mbushur janë unike dhe të shijshme, gjithmonë të gatuara me përbërës vendas të freskët.
- Një pjesë e madhe e kuzhinës është vegjetariane. Shumë prej gjellëve të tyre përfshijnë zarzavate, në një mënyrë që vende të tjerë të Ballkanit nuk e bëjnë. Specat e mbushura dhe japraku janë thjeshtë të mrekullueshme.
- Por ata bëjnë edhe pjata mishi në zgarë.
- Ata bëjnë kafe të shkëlqyer. Shqiptarët e duan kafenë e tyre, sidomos ekspres, dhe ju mund të merrni një kafe ekspres për rreth 40 cent euro. Ndonjëherë përcaktimi i tyre për kapuçinon do i bënte italianët të dridheshin, pasi ata nganjëherë t’i sjellin me krem, por ka gjëra më të këqija se kremi, apo jo?
- Prodhimet janë të freskët, të shijshëm dhe shpesh organike. Sigurisht, nuk kanë etiketa si të tilla, por shumica e prodhimeve në Shqipëri vjen nga fermerët e vegjël lokalë, të cilët sinqerisht ndoshta nuk kanë para të mjaftueshme për të shpenzuar për pesticide. Për këtë arsye, domatet dhe trangujt janë disa nga më të mirë që unë kam provuar.
- Sallatat dhe gjirot greke të mrekullueshme, në sajë të popullsisë së pakicës greke. Po, përveç ushqimit italian dhe ushqimit tradicional shqiptar, ju mund të gjeni ushqim të shijshëm grek. Të dy kuzhinat ndajnë shumë gjëra të përbashkëta dhe vija në mes të asaj që është greke dhe çfarë është shqiptare ndryshon, në varësi të vendit ku jeni dhe personit që pyesni (si shumë gjëra të tjera në Ballkan).
- Malet janë absolutisht shumë të bukur. Keqardhja ime më e madhe është që nuk bëra dot hiking nga Valbona në Theth, gjë që e kisha planifikuar. Kur unë ndodhesha atje, pati stuhi të tmerrshme, gjë që mi prishi planet, kështu që u ktheva për në Kosovë dhe vazhdova udhëtimin nëpër Ballkan. Kur u riktheva në Shqipëri, ishte mes tetori dhe natën temperaturat ishin nën zero, kështu që hiking nuk ishte aspak ide e mirë.
- Gjuha shqipe është pangjashme me cilëndo gjuhë tjetër. Shqipja, është një nga gjuhët më të vjetra që ekzistojnë. Disa e konsiderojnë atë një gjuhë të izoluar, të tjerë e lidhin me gjuhën ilire ose armene… le t’ua lëmë gjuhëtarëve dhe të themi vetëm se është shumë e vështirë – edhe pse e bukur në të dëgjuar – dhe, në veshët e mi të pastërvitur, ajo më kujton gjuhën Dothraki tek “Game of Thrones”.
- Thënë kjo, vendasit ju duan shumë nëse përpiqeni të flisni shqip. Shqiptarët e dinë se sa e vështirë është gjuha e tyre, dhe ata me të vërtetë e vlerësojnë atë, kur ju merrni kohë për të mësuar disa fjalë shqip. Mirëdita (meer-deeta) – ditë të mirë, faleminderit (fah-le-min-DER-it) – diten e mire (DEET-en ay Meer) – Ju uroj një ditë të mirë, dhe natyrisht, gëzuar (guh- zoo-ar) – cheers: zotëroni këto katër fjalë, dhe njerëzit do të jenë të kënaqur.
- Pjesët rurale të vendit janë vërtetë mahnitëse. Unë nuk kam parë shumë fshatra shqiptare ose jetën rurale, ku më kanë thënë se është zemra e vërtetë e vendit. Por metoda ime është që gjithmonë të lë një gur pa luajtur, kështu që unë e di se do të kthehem një ditë. Ajo që unë kam parë nga Shqipëria rurale prej furgonave është e pabesueshme, dhe unë dua shumë ta zbuloj më thellësisht.
- Flamuri i Shqipërisë ëhtë kaq i bukur. Një shqiponjë dy krenare… o Zot a mund të ketë flamur më të bukur? Shqiptarët janë të fiksuar me flamurin e tyre, dhe sinqerisht, edhe unë. Eshtë epik.
- Shqiptarët janë vërtetë patriotë. Ndërkohë që ky patriotizëm ndonjëherë shkon në kufijtë e nacionalizmit (që nuk është unik për shqiptarët), për udhëtarin praktik kjo nënkupton që shqiptarët do të bëjnë gjithcka që ti ta duash vendin e tyre, po aq sa ata. Nëse u thua se e do vendin e tyre, ata rrezatojnë krenari.
- Autostopi është shumë i lehtë dhe i sigurtë në gjithë Shqipërinë. Kombinimi i një mungese të sistemit publik të centralizuar të transportit, mikpritjes shqiptare dhe besës, dhe dashuria e tyre për makinat e bën Shqipërinë një prej vendeve më të kollajtë për autostop në botë dhe sigurisht në Evropë. Eshtë gjithashtu shumë e sigurtë, gjë që nuk e pret, sidomos nëse ke marrë këshilla udhëtimi nga Liam Neeson. Por është e vërtetë!
- Në të vërtetë, autostopi është një përvojë e mrekullueshme atje dhe unë e rekomandoj për të gjithë udhëtarët. Gjatë përvojës sime duke bërë autostop, më mori një shofer kamioni i cili nuk fliste asnjë fjalë anglisht, por vetëm buzëqeshte, dy studentë kolegji që na përcollën gjithë rrugën për në Kosovë, edhe pse ata nuk kishin planifikuar kalimin e kufirit, dhe më shumë se një seri Mercedesësh.
- Mercedes Benz-ët janë makina kombëtare. OK, s’është e vërtetë, por është një lloj ironie që, një nga vendet më të varfra të Evropës ka më shumë Benz-ë se kudo tjetër ku kam qenë – duke përfshirë Nju Jorkun dhe Kaliforninë.
- Është e lehtë për të udhëtuar për në, dhe nga vende të tjera në rajon. Ka autobusë të shpeshtë nga Mali i Zi nëpërmjet Ulqinit dhe Shkodrës, si dhe autobusë të kompanive hoteliere nga pikat e nxehta, si nga Kotorrit në Tiranë. të shkosh nga Tirana në Prizren apo në Prishtinë në Kosovë është gjithashtu mjaft e lehtë. Nëse jeni duke menduar për të shkuar në Maqedoni, ka autobusë në Shkup dhe linja direkte, në sezonin e pikut, drejt Ohrit. Greqia është afër Sarandës dhe Korçës, dhe ju mund të shkoni në Korfuz për rreth tridhjetë minuta.
- Edhe Italia është shumë pranë. nëse ndodhesh në Itali dhe dëshiron të shkosh në Shqipëri, është gjë e shpejtë dhe e lirë të marrësh tragetin. Bonusi? Pamjet janë mahnitëse.
- Tirana është ndryshe nga cilido kryeqytet tjetër që kam parë. Eshtë kaotik dhe plot gjallëri, unik dhe intrigues, i improvizuar dhe në përmirësim. Ka një ndjesi sikur ka ngecur në të kaluarën e në të njëjtën kohë po nxiton drejt të ardhmes, dhe është magjepsëse të jesh aty duke e përjetuar këtë.
- Tirana ka qenë më e influencuar nga komunizmi se sa cilido qytet tjetër i Shqipërisë, gjë që e bën ideal për të fiksuarit pas historisë dhe arkitekturës komuniste. Ka disa copëza shumë të habitshme arkitekture, sidomos Piramida, memoriali i braktisur i cili u ngrit për nder të diktatorit Enver Hoxha.
- Jeta e natës në Tiranë është me të vërtetë e bukur. Më pëlqente shumë të dilja në lagjen e Bllokut, zemra e vjetër e besnikëve të partisë komuniste. Kjo është kthyer në një lagje luksoze, ku një birrë shkon e gjen për 2 Euro.
- Bunkerët ofrojnë vështrim interesant, ndonëse të shëmtuar, në të kaluarën. Më pëlqeu vizita në Bunkart në Tiranë, i cili ishte bunkeri i ish-diktatorit Enver Hoxha, në rast sulm. Kjo është një pasqyrë interesante e psikologjisë së një njeriu të sëmurë, paranojak. Rreth 700.000 bunkerë të vogla kanë mbushur fshatrat, në vende që kurrë nuk do të mendohej se ishin në rrezik sulmi.
- Në të vërtetë, nuk ka vend të krahasueshëm me Shqipërinë e shekullit të 20. Sipas Enver Hoxhës, edhe Jugosllavia e Titos, Kina e Maos, dhe BRSS i Hrushovit, ishin të gjithë shumë liberal dhe jo mjaftueshëm komunistë. Si pasojë, Shqipëria nuk kishte asnjë lidhje me vendet e tjera nga viti 1978 deri në vitin 1991. Kur diktatura më në fund u shemb, gjëra të tilla si bananet dhe xhinset blu ishin fenomene krejtësisht të reja. Edhe Koreja e Veriut sot ka një ekonomi më të hapur se Shqipëria para viteve 1990.
- Por ka shumë më tepër se sa vetëm të kaluarën komuniste. Unë e kuptoj (dhe ndaj!) magjepsjen me të kaluarën e çmendur komuniste të Shqipërisë. Por, para kësaj, Shqipëria ka pothuajse 5.000 vite histori, me ndikim nga grekët, ilirët, romakët, venedikasit, bizantinët dhe osmanët.
- Pushtimi 400 vjecar prej Perandorisë Otomane e ndryshoi përgjithmonë Shqipërinë në mënyra unike. Si rezultat i pushtimit, Shqipëria u shndërrua në vend me shumicë myslimane – afro 60% – ndonëse shumë shqiptarë ndjekin një interpretim shumë të moderuar të Islamit – nëse e ndjekin. Shumica e shqiptarëve, edhe nëse janë me origjinë myslimane, hanë mish derri dhe pijnë alkool dhe shumë pak gra mbajnë shami.
- Megjithatë, për shumë vite, Shqipëria ishte i vetmi vend në botë që kishte një ndalim të drejtpërdrejtë të fesë. Në vitin 1967, praktikimi i fesë u ndalua plotësisht brenda Shqipërisë. Si rezultat, për fat të keq shumë kisha dhe xhami në të gjithë vendin u shkatërruan. Shqiptarët kanë punuar shumë për të rindërtuar këto vende të kultit në të gjithë vendin. Shumë pak mbeten nga epoka para-komuniste – vetëm ato që liderët e partive i konsideronin të denjë për ruajtjen e kulturës, të tillë si xhamia e Et’hem Beut në Tiranë.
- Shqipëria është një përzierje e vërtetë kulturore. Gjatë gjithë kohës, Shqipëria ka pasur ndikimin e grekëve dhe romakëve, sllavëve dhe italianëve, muslimanëve dhe të krishterëve. Këto ndarje, në të vërtetë nuk duket se i shqetësojnë shqiptarët, dhe fakti unifikues i gjuhës, traditës, dhe patriotizmit duket të jetë më i rëndësishëm se etnia ose feja.
- Përkundër gjithë kësaj, shqiptarët janë tepër tolerantë ndaj feve të tjera. Martesat ndërfetare janë mjaft të zakonshme në Shqipëri, dhe grupet e miqve janë zakonisht të mirë-integruar dhe kanë pak të bëjnë me fenë. Feja duket të jetë më shumë një tregues kulturor, se sa tregues i bindjeve të thella. Ndryshe nga vendet si Bosnja dhe Hercegovina, ku konflikti etnik u përkeqësua në pjesën më të madhe nga dallimet fetare, shqiptarët me të vërtetë nuk duket se e vrasin aq shumë mendjen për fenë.
- Në fakt për shumëkënd, “feja e vetme e shqiptarit është shqiptaria”. Ky citim u përdor nga Enver Hoxha për të justifikuar ndalimin e fesë; megjithatë fillimisht ajo u shfaq në poemën nacionaliste të poetit shkodran Pashko Vasa “O moj Shqipëri”. Në thelb nënkupton që shqiptarët janë më të shqetësuar që të ndajnë një trashëgimi etnike dhe kulturore, bazuar në konceptin e të qënit shqiptar, se sa të vrasin mendjen për lidhjet fetare.
- Tre vende në Shqipëri kanë Statusin e UNESCO-s.
- Një prej tyre, Butrinti, është një kompleks 2000-vjecar rrënojash romake. Ai është sunduar nga romakët, bizantinët, venedikasit dhe otomanët. Ndodhet në një liqen të bukur pranë kufirit me Greqinë, dhe është pothuaj gjithmonë i shkretë, gjë që e bën një vend të mrekullueshëm për të shëtitur, bërë foto dhe imagjinuar një botë më të thjeshtë, e cila ndodhet pikërisht aty ku ndodhej edhe 2000 vjet më parë.
- Gjirokastra është një tjetër vend i mbrojtur nga UNESCO, po aq mbresëlënëse sa edhe Butrinti. Eshtë një qytet muze i epokës otomane, i plotësuar nga një kështjellë fantastike në majën e një kodre të madhe, dhe e rrethuar nga shtëpi me gurë.
- Në të vërtetë, Gjirokastra është edhe shtëpia e muzikës popullore iso-polifonike, e cila është një traditë unike shqiptare. Çdo vit, shfaqjet e kësaj muzike mbahen në kështjellë, duke mbajtur gjallë traditën. Për të qenë e sinqertë, muzika nuk është se më pershtatet, por është e pabesueshme se çfarë janë në gjendje të bëjnë me zërat e tyre, duke krijuar tinguj unikë, pa përdorur as edhe një instrument të vetëm.
- Berat është si binjaku i Gjirokastrës, edhe pse është me vlerë që të vizitohet pavarësisht nëse ke qenë apo jo në Gjirokastër. Eshtë binjaku më i njohur, dhe po aq i mrekullueshëm sipas mendimit tim, por krejt i ndryshëm. Sinqerisht, unë mendoj se UNESCO ka bërë një gabim që ka binjakëzuar këto qytete së bashku, gjë e cila sugjeron që ju mund të shihni njërin dhe të krijoni një ide për tjetrin. Secili meriton vizitën e vet.
- Ka edhe shumë vende të tjerë në listën e UNESCO-s që ia vlen të vizitohen. Amfiteatri i Durrësit, Apollonia dhe Ohri, mes të tjerëve, janë në listë për t’u konsideruar.
- Por Shqipëria nuk ofron vetëm vende historike – ajo ka edhe liqene të pabesueshme. Liqeni i Komanit është xhevahiri i Shqipërisë, i ndjekur nga Liqeni i Shkodrës, Liqeni i Ohrit dhe Liqeni i Butrintit. Të gjithë të ndryshëm, por shumë të bukur.
- Shqipëria ka edhe burime natyrore që burojnë nga shumë thellë. Syri Blu në Sarandë është më i famshmi, por ka edhe një më pak të njohur në Theth.
- Ka edhe ujëvara të mrekullueshme, ku vendasve u pëlqen të notojnë. Ujëvarat në Begovë pranë Beratit janë të preferuarat e vendasve kur vera bëhet e nxehtë – me raki, sigurisht! Sa keq që isha në Berat në mes të tetorit, e nuk i shijova këto ujëvara.
- Ka edhe një rajon vere, me një verë të mrekullueshme. Megjithatë arrita të shijoj verë të mrekullueshme në Berat, në Kantinën Cobo.
- I duhet ende të bëhet perëndimore me zinxhirët ushqimorë amerikanë… përvec njërit. Më pëlqen fakti që zinxhiri i parë ndërkombëtar në vend, KFC, po hapet mu përballë ish vilës së Enver Hoxhës. Besoj se kjo është ajo që ne e quajmë ‘të hedhësh hije” në Shqipëri.
- Do të takoni shumë udhëtarë interesantë në Shqipëri. Ma do mendja që, për shkak se jo shumë njerëz udhëtojnë në Shqipëri, ata turistë që shkojnë janë vërtetë interesantë, mendjehapur. Nuk kam takuar kurrë njerëz më argëtues, se sa kur udhëtova në Shqipëri.
- Ndonjëherë duket sikur një pjesë e Shqipërisë ka ngecur në një makinë të kohës. Mund të ecësh me makinë përgjatë një autostrade kur… papritur të shfaqen dhi dhe lopë në mes të rrugës.
- Shqipëria është krejt jashtë zonës Shengen, gjë që e bën atë të përsosur, në qoftë se jeni duke qëndruar në Evropë për më shumë se 90 ditë. Shumë vende në Ballkan, duke përfshirë Malin e Zi, Maqedoninë, Serbinë, Kosovën dhe Bosnjën janë gjithashtu jashtë zonës Shengen, kështu që është e lehtë për të planifikuar një rrugë në Shqipëri, në qoftë se ju keni qëndruar deri 90 ditë me vizën tuaj Shengen.
- Është shumë e lehtë për të huajt të marrin viza. 77 vende dhe territore, plus çdo vend i BE-së, mund të vizitojë Shqipërinë pa viza për 90 ditë. Por edhe në qoftë se ju nuk jeni në një nga ato vende, nëse ju keni pasur dhe përdorur një vizë të vlefshme në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, apo BE-së, që ju të merrni të njëjtën vizë për 90 ditë, si të gjitha vendet e tjera të kualifikueshme.
- Edhe pse hostelet janë të reja në vend, ata janë çuditërisht të shkëlqyeshëm. Në fakt, çdo hotel që kam qëndruar në në Shqipëri ishte i shkëlqyer, dhe shumë më i mirë (dhe më i lirë) se shumë hostele ku kam qëndruar në Evropën Perëndimore, duke përfshirë qytete si Roma dhe Barcelona. Në fakt, “Trip’N Hostel” në Tiranë është ndoshta hoteli më i mirë ku kam qëndruar, dhe pikë.
- Shqipëria është një përzierje e mrekullueshme e të zbuluarës dhe të pazbuluarës. Ju mundeni me të vërtetë të zgjidhni aventurën tuaj këtu … nëse doni që të rrini në rrugën e mirë të Tiranës dhe Sarandës, ose në qoftë se ju doni të dilni edhe më shumë jashtë rruge dhe të vizitoni qytetetet e vogla të Shkodrës dhe Korçës, ka shumë opsione.
- Festat e dasmave shqiptare janë festat më të mira. U ndodha në një prej tyre që po kryhej në një restorant në rrugë në qendër të Himarës. Ajo ishte një valle gjigante në rreth që erdhi e u zmadhua, gjatë gjithë natës.
- Shqipëria do ju mësojë të jeni të duruar. Unë e pranoj që udhëtimi në Shqipëri nuk është përvoja më e drejtpërdrejtë, edhe pse unë mendoj se kjo gjë, jo domosdoshmërisht e bën të vështirë. Ndonjëherë, autobusi do të jetë vonë, ose do jetë e paqartë se ku po shkoni. Megjithatë, gjërat gjithmonë gjejnë një mënyrë për të funksionuar në këtë vend. Jepini vetes pak kohë shtesë dhe shijojeni udhëtimin.
- Shqipëria do ju mësojë edhe besimin. Përderisa nuk është vendi më i kollajtë për të ardhur vërdallë, sidomos duke qenë se transporti publik funksionon me fjalë goje dhe nuk ka një orar online, do të duhet t’u besosh të panjohurve. Por në fakt ky është nëj bekim, sepse do ju tregojë se sa të mirë dhe të kujdesur janë shumica e njerëzve në botë. E sidomos në këtë qoshe të vogël të botës.
- Anglishtja në fakt flitet gjerësisht – e ndjekur nga italishtja. Ata që janë rritur nën komunizëm “vidhnin” sinjake televizivë dhe radiofonikë nga Italia, si e vetmja mënyrë kontakti me botën jashtë; kështu që brezi më i vjetër flet italisht. më të rinjtë, dhe kushdo që punon në turizëm, ka një kuptim të mirë të anglishtes.
- Por ajo që mund t’u mungojë shqiptarëve në aftësitë gjuhësore, ata e plotësojnë me gjuhën e trupit dhe përpjekjet. Nuk ndodh me shqiptarët që të mbledhin supet dhe të të injorojnë – ata do të bëjnë të pamundurën që, ose t’i përgjigjen pyetjes suaj përmes gjesteve dramatike, duke të tërhequr në rrugë deri sa të gjejnë dikë që mund t’ju ndihmojë, t’i telefonojnë një miku dhe të të bëjnë të flasësh me të, ose të të shoqërojnë në destinacionin që ti do.
- Shkurt shqiptarët kanë një aftësi rimëkëmbëse të mahnitshme. Ata i kanë mbijetuar regjimit komunist më shtypës në histori, dhe tani mirëpresin të huajt nga e gjithë bota. Për mua ishte mbresëlënëse, se si ka mundësi që njerëz që kanë hequr kaq shumë, të jenë kaq mikpritës.
- Shqipëria po ndryshon… me shpejtësi. Me investimet e huaja që po vijnë dhe marshimin e ngadaltë e turizmit që po vjen nga Mali i Zi dhe Kroacia, nuk do të zgjasë shumë deri kur Shqipëria të ketë ndryshuar tërësisht. Kur anijet turistike të fillojnë të ndalen rregullisht në Shqipëri… më duhet ta pranoj, jam e shqetësuar për atë që mund t’i ndodhë Himarës dhe Dhërmiut.
- Shqipëria nuk është asnjëherë e mërzitshme. Kudo që të shkoni në këtë vend, me siguri që do ta dashuroni.
Burimi: eternalarrival.com/. Materiali është shqipëruar nga www.bota.al