Afatet dhe kriteret/ Policia e Shtetit kërkon juristë, ekonomistë dhe informaticienë

95

Policia e Shtetit njofton se duke nisur nga  dita e sotme( 4 korrik) janë hapur aplikimet për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, për studentët që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta në disa degë të caktuara.  Në total janë parashikuar të punësohen 100 studentë.

Aplikimet bëhen pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm. Afati për të aplikuar është deri me datë 31 korrik 2019.

Kuotat e pranimit në Policinë e Shtetit të shtetasve që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të Arsimit të Lartë janë 100, nga të cilat:

-60 kuota për shtetas që kanë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike.

-30 kuota për shtetas që kanë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat ekonomike (degët ekonomi, financë).

-10 kuota për shtetas që kanë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat kompjuterike (degët informatikë, elektronikë).

Kriteret e përgjithshme për pranimin e këtyre kandidatëve në Akademinë e Sigurisë:

– të jenë shtetas shqiptarë;

– të mos jenë të përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të Sigurisë Kombëtare apo të jenë larguar nga shërbimi civil;

– të kenë zotësi të plotë për të vepruar;

– të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të aftë fizikisht për të kryer detyrën;

– të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e ndonjë krimi apo për kryerjen e ndonjë kundravajtjeje penale me dashje;

– të jenë të pajisur me vërtetim besueshmërie;

– të kenë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;

Ndërsa kriteret e veçanta që duhet të plotësojnë aplikantët për t’u pranuar në këtë cikël janë:

– të kenë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike, shkencat ekonomike (degët ekonomi, financë) ose shkencat kompjuterike (degët informatikë, elektronikë):

– të jenë nën moshën 30 vjeç;

– të kenë mesataren e cikleve të studimit mbi “8”;

– të jenë me gjatësi jo më pak se 175 cm për meshkujt dhe jo më pak se 165 cm për femrat;

– të kenë njohuri të gjuhës angleze në nivelin mbi 60 pikë sipas standardit ALCPT;

Aplikimet duhet të bëhen nga data 04 korrik 2019 deri në datë 31 korrik 2019, dhe dosja fizike e aplikimit duhet të dorëzohet pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.

Aplikantët që plotësojnë kriteret dhe paraqesin dokumentacionin e kërkuar, më pas do t’u nënshtrohen fazave të vlerësimit, të cilat janë:

-Vlerësimi sipas notës mesatare, e cila përfitohet nga llogaritja e mesatares së dy cikleve në të njënjtën fushë studimi;

– vlerësim me testim i njohurive të gjuhës angleze sipas standardit ALCPT;

– intervistimi i aplikantëve;

– kontrolli shëndetësor;

– marrja e shenjave të gishtave;

– verifikimi përfundimtar i aplikantit;

Ky është kursi i dytë në kuadër të hapjes së aplikimeve nga Policia e Shtetit për të rekrutuar studentë të diplomuar me rezultate të larta, pas ndryshimeve në ligjin për Policinë e Shtetit, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit fton dhe nxit të gjithë studentët që kanë kryer ciklin e studimeve që përmbushin kriteret, të marrin pjesë në garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit.