AMF: Si të dalloni skemat mashtruese online, ja kompanitë e licencuara

273

20150820164029-marketing-marketers-charts-laptop

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka të publikuara në faqen e vet të internetit të dhëna lidhur me portalet e tregtimit online, të cilat i japin mundësi të interesuarve të investojnë në bursa ndërkombëtare.

Sipas AMF (si ent rregullator që licencon dhe mbikëqyr veprimtarinë e subjekteve në fushën e titujve), dhe Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF), këto investime janë me rrezik të konsiderueshëm, ndaj publiku i interesuar duhet të tregohet i kujdesshëm dhe t’i realizojë ato nëpërmjet subjekteve të licencuara, mbi bazën e një informacioni të plotë dhe vetëm në rastet kur ekziston kultura e nevojshme financiare që lejon njohjen dhe ndërgjegjësimin rreth rreziqeve që shoqërojnë këto veprimtari. Hyrja dhe veprimtaria e rregulluar në treg e ndërmjetësuesve financiarë, në këtë rast përmes portaleve të tregtimit online, ndihmon në zhvillimin e kulturës financiare dhe të tregut financiar. Një veprimtari e rregulluar do të thotë ushtrim i kontrollit nga autoritetet mbikëqyrëse për të verifikuar se si mënyra e veprimit të subjektit ndërmjetësues nxit paraprakisht ndërgjegjësimin e investitorit për vlerësimin e rreziqeve që shoqërojnë investimet në bursa, kufizon madhësinë e humbjeve të mundshme dhe ofron transparencë të plotë për shpjegimin e tyre në rast ndodhjeje. Nga ana tjetër, një veprimtari e palicencuar dhe e pambikëqyrur, i ekspozon investitorët ndaj kostove të fshehura dhe detyrimeve të tjera, të cilat, në mungesë të transparencës së nevojshme nga ana e subjektit ndërmjetësues, mund të jenë të mëdha.

Pak ditë më parë u zbulua se Easy Invest, një nga platformat e investimeve online, ka mbyllur aktivitetin në Shqipëri, duke marrë me vete investimet e qindra kreditorëve në Shqipëri dhe Kosovë. Pas lajmit mbi ndërprerjen e veprimtarisë së shoqërisë Easy Invest si platformë investimi online, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (Autoriteti) ka sqaruar në një deklaratë publike se kjo shoqëri nuk ka qenë e licencuar, pra nuk ka qenë e mbikëqyrur nga Autoriteti.

GKSF fton publikun e interesuar të konsultojë në vazhdimësi listën e subjekteve të licencuara, përkatësisht nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe nga Banka e Shqipërisë. Operatorët e licencuar janë si më poshtë:

http://www.amf.gov.al/tletrave.asp?id=1&s=1 (ku, në rubrikën “Subjekte nën juridiksion”,mund të merret informacion për të gjithë subjektet e licencuara, duke përfshirë edhe ato që ofrojnë shërbimet e ndërmjetësimit për investime në tregjet ndërkombëtare).

https://www.bankofalbania.org/web/Rregjistri_i_Bankave_tregetare_50_1.php (ku, krahasinformacionit për bankat, mund të kalohet tek rubrika “Regjistra të tjerë” dhe të merret informacion për Zyrat e Këmbimit Valutor, Subjektet Financiare Jobanka, Zyrat e Përfaqësimit,dhe Unionet e Shoqërive të Kursim-Kreditit).

SHOQËRITE E LICENCUARA NGA AMF

Shoqëri Komisionere të Letrave me Vlerë

  • TIRANA BANK sh.a
  • TRIUMF GROUP sh.a
  • RAIFFEISEN BANK sh.a
  • BANKA KOMBËTARE TREGTARE sh.a
  • SOCIETE GENERALE ALBANIA sh.a
  • INTESA SANPAOLO BANK sh.a
  • ALPHA BANK sh.a
  • BANKA CREDINS sh.a
  • KAPITAL INVEST sh.a
  • POSTA SHQIPTARE sh.a
  • BANKA NDËRKOMBËTARE TREGTARE sh.a
  • FIRST INVESTMENT BANK sh.a
  • AKSIONER INTERNATIONAL SECURITIES  BROKERAGE sh.a
  • STOCK INTERNATIONAL ALBANIA sh.a

Shoqëri Këshillimi për Investime në tituj

    • APIA Wealth Management Albania sh.a.

AGJENT

  • AKSIONER INTERNATIONAL SECURITIES BROKERAGE sh.a
  • STOCK INTERNATIONAL ALBANIA sh.a

SHOQËRITE E LICENCUARA NGA BANKA E SHQIPËRISË

“CAPITAL INVEST” Sh.a.

“PLATINIUM INVESTMENT” Sh.p.k.

“CRIMSON FINANCE FUND ALBANIA” Sh.p.k.

“ALBANIAN FINANCIAL INSTITUTION” Sh.p.k.

Burimi: Revista Monitor