Angazhimi me muzikë ndihmon në mbrojtjen e shëndetit të trurit në moshat e mëvonshme

9

Një studim i zhvilluar në Britani zbuloi se angazhimi me muzikë ndihmon në mbrojtjen e shëndetit të trurit në moshat e mëvonshme duke e mbajtur të fortë kujtesën.

Sipas studimit të publikuar në “International Journal of Geriatric Psychiatry”, shkencëtarët nga Universiteti i Exeter-it hetuan se si plaket truri i njerëzve që merren me muzikë dhe atyre që nuk janë të përfshirë në muzikë.

Në studim, efektet e luajtjes së instrumenteve, këndimit, leximit të notave, dëgjimit të muzikës dhe talentit muzikor në trurin e njeriut u ekzaminuan në më shumë se 1.100 persona të moshës 40-68 vjeç.

Studiuesit krahasuan të dhënat njohëse të personave që ishin marrë me muzikë në jetën e tyre dhe atyre që nuk ishin interesuar kurrë për muzikën. Rezultatet treguan se njerëzit që luanin piano ose organo, përfitonin më shumë nga angazhimi në muzikë, por thjesht dëgjimi i muzikës nuk kishte të njëjtin efekt në shëndetin kognitiv.

Është zbuluar se angazhimi me muzikë ndihmon në mbrojtjen e shëndetit të trurit në moshat e mëvonshme duke e mbajtur kujtesën energjike dhe se njerëzit që lexojnë nota muzikore rregullisht kanë memorie më të mira numerike.

Autorja kryesore e studimit Anne Corbett në deklaratën e saj për BBC tha se ata aplikuan teste shumë të ndjeshme për këtë hulumtim dhe se janë ekzaminuar funksionet e ndryshme të trurit të njerëzve ndërsa është hetuar edhe efekti i muzikës në këtë kontekst.

Duke theksuar se luajtja e instrumenteve në veçanti ka efekte të mëdha në tru, Corbett tha: “Hulumtimi tregon se si rreziku i njerëzve për demencë mund të reduktohet në mënyrë aktive dhe muzika luan një rol në reduktimin e kësaj”.

Organizata e quajtur “Dementia UK” në Britani tha se rezultatet e studimit kishin efekte pozitive tek pacientët me demencë dhe se këta pacientë përdornin muzikën si mënyrë komunikimi.

/ata.gov.al