Aplikim në e-Albania për programet sociale të strehimit, si do ofrohet mbështetja

51

Përmes programeve të strehimit qeveria shqiptare po synon ofrimin e zgjidhjeve të përballueshme dhe cilësore për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme që nuk mund të përballojnë blerjen e një shtëpia me çmimet e tregut.

Programet aktuale për këtë qëllim janë programet e banesave me kosto të ulët dhe skemat e kredive të përballueshme hipotekare.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë bën të ditur se qytetarët mund të aplikojnë online nëpërmjet e-Albania (gjendet me një kërkim të thjeshtë duke futur fjalën “strehim” në motorin e kërkimit tek e-Albania) për mbështetje me një nga programet sociale të strehimit ose për njërin nga instrumentet financiare, subvencionimi i qirasë ose subvencionimi i interesave të kredive.

Për këtë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë zhvilloi një trajnim treditor për bashkitë mbi sistemin online të strehimit.

Ndërkohë, personat që nuk kanë qasje në sistemin online apo që nuk kanë njohuri, i drejtohen qendrës me një ndalesë në bashki.

Sistemi i strehimit është i lidhur me të gjitha institucionet shtetërore për gjenerimin e dokumenteve që, sipas ligjit, kërkohen për verifikimin e deklarimeve mbi statusin ekonomik e social të qytetarit.

Në programet sociale të strehimit përfshihen: programi i banesave sociale me qira; programi për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, deri në një ndërtim të ri; programi i banesave me kosto të ulët; programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi; programi për krijimin e banesave të përkohshme dhe programi i banesave të specializuara.

Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, 878 familje gjithsej do të përfitojnë përmirësim të kushteve të banimit nëpërmjet 20 projekteve të 20 bashkive të përzgjedhura në vitin 2022 me një vlerë investimi mbi 545 milionë lekësh.

Rezulton se për vitin 2022, rreth 1 mijë familje janë në proces për lidhje kontrate dhe 992 familje kanë lidhur kontratë me bankat për të përfituar kredi të subvencionuar nga shteti në periudhën 2019 – qershor 2022.

Po ashtu, janë 1615 familje që kanë përfituar nga subvencionimi i qirasë për vitin 2022, pa përfshirë familjet që trajtohen nga tërmeti.

MFE bën të ditur se 275 apartamente në objekte shtetërore janë kthyer në njësi banimi dhe shërbejnë si banesa sociale me qira, gjatë periudhës 2017-2021.