Aplikimi në e-Albania, si të përfitoni rimbursimin e ilaçeve, ja procedura

85

Ekspertët e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor shpjegojnë procedurën që duhet ndjekur për personat e diagnostikuar pozitivë me COVID-19, në mënyrë që të marrin terapinë në banesë si dhe përfitojnë rimbursimin e ilaçeve.

Sipas FSDKSH, receta gjenerohet online nga mjeku i familjes dhe me kodin përkatës, barnat merren në farmaci me rimbursim 100% nga shteti.

“Je i diagnostikuar me COVID-19 dhe do të marrësh terapinë e mjekimit në banesë? Apliko në e-Albania. Receta gjenerohet online nga mjeku i familjes dhe me kodin përkatës, barnat merren në farmaci me rimbursim 100% nga shteti. Apliko online nëpërmjet e-Albania përmes shërbimit “Aplikim për recetë të rimburësueshme COVID- 19” dhe përfito falas paketën e barnave për trajtim në shtëpi. Skemë rimburësimi të miratuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve sipas shkallës së prekjes së COVID-19. Skema1: forma e lehtë e prekjes nga infeksioni 1,650 lekë. Skema 2: Forma e mesme e prekjes nga infeksioni 10,900 lekë. Qëndro i sigurt në shtëpi dhe apliko duke plotësuar formularin elektronik në e-Albania. Identifikohu si qytetar në portalin e-Albania. Zgjidh shërbimin “Aplikim për recetë të rimburësueshme COVID-19”. Plotëso formularin e aplikimit me përgjigjen mbi kryerjen e tamponit dhe simptomat. Kërkesa dërgohet për shqyrtim tek mjeku respektiv i familjes. Qytetari njoftohet me sms, email dhe tek “mesazhet e mia” në e-Albania me kodin e recetës së mjekut apo me përgjigen e tij”, sqarojnë specialistët e Fondit.

Receta me rimbursim lëshohet sipas rregullave të përcaktuara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor për personat që pas bërjes së tamponit rezultojnë pozitivë për Sars-cov2 dhe kur mjeku i familjes konfirmon nevojën për mjekim shëndetësor.