“Ari i kuq”, erëza më e shtrenjtë në botë rritet edhe në Shqipëri

82

Dy mijë lekë të reja për një gram. Quhet ari i kuq. Është erëza më e shtrenjtë në botë dhe ndër tre ushqimet më të shtrenjta bashkë me tartufin e bardhë apo Caviarin. Për fat gjendet edhe në Shqipëri, shafrani.

Ngjyra e kuqe e pistilave, aroma unike dhe shija pikante e bëjnë shafranin si asnjë erëz tjetër.

Një erëz që është përdorur që në lashtësi e që përdoret edhe në industrinë farmaceutike. Konsiderohet mbreti i medikamenteve dhe i erëzave.

Kultivimi i Shafranit në Kosovë ka nisur tashmë të jetë një biznes solid, e së fundmi ka nisur të jetë po aq i suksesshëm edhe në Shqipëri.

Prodhimi më i ri i kësaj bime, po bëhet kryesisht nga një sipërmarrje shqiptaro-italiane.  Ai kultivohet në Dëshiran të Belshit në një sipërfaqë prej disa dynym.

Shafrani i Dumresë veç tregtimit në pikat e produkteve organike në Tiranë trëgtohet edhe në Vlorë, Elbasan apo Sarandë, ndërkohë që një sasi e prodhimit eksportohet edhe drejt  Italisë.

Vlerat e shafranit

Shafrani me emrin botanik Crocus sativus, merret nga bima e familjes Iridaceae, e cila ka një sezon të shkurtër lulëzimi, vetëm tre javë në vit. Pjesa shëruese e shafranit janë stigmat që përmbajnë safranal dhe fitokimikate të shumta si krocina, pikrokrocina, likopena, karotenoidet dhe alkaloidet.

Shafrani është ilaç natyral për stresin dhe depresionin dhe ndihmon edhe në zbutjen e sëmundjeve si Alzheimerit. Nga vitaminat, shafrani në sasi të konsiderueshme përmban vitaminë C, tiaminë, riboflavinë, niacinë, acid folik dhe vitaminë B6.

Për 0.5 kg të erëzës është e nevojshme të merren rreth 75.000 lule. Një lule ka 3 fije që duhen mbledhur me kujdes me dorë. Një gramë ka rreth 200-300 fije stigma shafrani.

Si të përgatisni çaj shafrani

3 – 4 fije shafrani

Pak mjaltë

Një gotë ujë

Vendosini fijet e shafranit në një gotë me pak ujë të ngrohtë dhe lereni për 10 minuta. Më pas hidhini aty rreth gjysëm gote ujë të nxehtë të vluar. Shtoni mjaltë nëse dëshironi për ta ëmbëlsuar. Fijet e shafranit janë të kosumueshme, nëse dëshironi.

Konsumimi i shafranit preferohet për të gjithë njerëzit, por në sasi të vogla. Këshillohet të mos konsumohet më shumë se 0.2 gram në ditë./AgroWeb.org