BB strategji për një ngrohje eficiente, të pastër dhe të përballueshme nga të gjithë

0

Banka Botërore propozon një strategji me tri shtylla kryesore ku qeveritë mund të mbështeten për të strukturuar në mënyrë sa më efikase planet e tyre të tranzicionit për një ngrohje eficiente, të pastër dhe të përballueshme nga të gjithë.

Në raportin e publikuar së fundmi, BB rendit: uljen e kërkesës për ngrohje përmes eficiencës së energjisë në ndërtesa; Forcimi dhe dekarbonizimi i ngrohjes qendrore në zonat urbane me dendësi të lartë, aty ku është e mundur dhe promovimi i sistemeve të pastra të ngrohjes individuale në zona me dendësi të ulët.

BB i bën apel vendeve europiane dhe atyre në Azisë Qendrore për një ristrukturim rrënjësor të sektorit të ngrohjes me qëllim ofrimin e shërbimeve të qëndrueshme dhe pakësimin e përdorimit të karburanteve me emetime të larta të karbonit.

Në raport e saj “Drejt një Tranzicioni të Qendrueshëm të Ngrohjes në Europë dhe Azinë Qendrore”, BB konstaton se rreth 30 % e popullsisë së rajonit, kryesisht në zonat urbane, merr shërbim nga ndërmarrjet komunale të ngrohjes qendrore, të cilat mbështeten kryesisht tek lëndët djegëse fosile të subvencionuara, kanë infrastrukturë të vjetëruar dhe qëndrueshmëri të dobët financiare.

Sipas raportit, në zonat rurale, pjesa dërrmuese e familjeve përdorin soba ose bolierë me dru ose qymyr me ndotje të lartë. Të marra së bashku, këto burime karburanti shkaktojnë nivele të larta të ndotjes së ajrit që çojnë në rreth 302,000 vdekje dhe shkaktojnë një kosto të mirëqenies prej 7 % të PBB-së në vit. Për shkak edhe të numrit të madh të ndërtesave të vjetra dhe me ineficiencë energjetike, kosto e lartë mbetet shqetësim pasi një e treta e popullsisë së rajonit e ka të vështirë të paguajë faturat e ngrohjes apo të sigurojë ngrohje të mjaftueshme në shtëpitë e tyre.

Arritja e objektivit për emetime neto zero në rajon deri në mesin e shekullit kërkon transformim drastik të sektorit, i cili përbën sot rreth 24 % të kërkesës rajonale për energji dhe është përgjegjës për rreth 22 % të emetimeve të gazrave serrë (GHG).

“Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat e mëdha me të cilat përballet sektori i ngrohjes në vendet e Europës dhe Azisë Qendrore. Qëllimi ynë është t’i pajisim politikëbërësit me njohuri të bazuara në të dhëna dhe zgjidhje të bazuara në veprime për të çuar përpara tranzicionin e ngrohjes së qëndrueshme, duke përmirësuar jetën dhe mirëqenien e popullsisë së rajonit”, tha Charles Cormier, drejtor rajonal i Infrastrukturës në Bankën Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore.

“Me prezantimin e teknologjive dhe qasjeve tashmë të testuara, vendet kanë bërë një progres relativisht të dukshëm, por këto përpjekje ende nuk janë në shkallën që të përmbushin objektivat për emetime neto zero deri në mes të shekullit”, tha ai.

/ata.gov.al