Bum vizitorësh në Butrint, qyteti antik ‘kryeqendër’ e turizmit kulturor

52

Butrinti, 20 km larg Sarandës, vijon të mbetet një nga monumentet më të vizituar të trashëgimisë kulturore në vend.

Ky park ofron një numër të konsiderueshëm vendesh arkeologjike, që tërheqin vizitorët e shumtë vendas e të huaj.

Gjatë muajit gusht pati një rritje progresive pas rihapjes së sitit në 18 maj 2020. Nga data 1-31 gusht ky park u vizitua nga 16 667 vizitorë, duke tejkaluar numrin total të vizitorëve për periudhën janar-korrik 2020.

Në korrik parku u vizitua nga 8477 vizitorë vendas e të huaj.

Për këtë sezon turistik Ministria e Kulturës ka ofruar një tarifë më të ulët hyrjeje si dhe çdo ditë të diel falas,  ku vetëm në gusht kishim 5241 bileta falas.

Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin jug-lindor të gadishullit të Ksamilit. Ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit, gjysmë të kripur dhe gjysmë të ëmbël dhe në njërën anë nga kanali i Vivarit.