Dalin të dhënat/ Ja cilat janë profesionet më të paguara në Shqipëri

13

Rritet paga mesatare në vend. Sipas Institutit të Statistikave në tremujorin e tretë të vitit paga mesatare e një të punësuari arriti në 61 613 lekë. Në raport me një tremujor më parë rritja ishte modeste me vetëm 947 lekë, ndërsa në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë paga mesatare u rrit me 5 178 lekë.

Statistikat tregojnë për një rritje të ndjeshme të pagave për sektorët më pak të paguar në vend, si bujqësia, industria, ndërtimi, tregtia e shërbimet. Paga për këto degë të ekonomisë ka qenë me gati 5 mijë lekë më e lartë se kundrejt një viti më parë.

Ndërkohë më të mirë paguarit vijojnë të jenë të punësuarit në aktivitetet financiare dhe të sigurimit, ku paga e tyre mesatare është gati dyfish më e lartë se ajo mesatare në rang vendi. Një i punësuar në këtë sektor ka një pagë mesatare prej 119.1 mijë lekë, duke u rritur me gati 10.5 mijë lekë kundrejt një viti më parë.

I njëjti trend këtë tremujor ka ndodhur edhe me pagën mesatare të atyre që punojnë në aktivitetet e informacionit dhe telekomunikacionit që renditen të dytët më të paguar me një pagë mesatare rreth 94 mijë lekë. 8.7 mijë lekë është rritja e pagës mesatare për ta kundrejt një viti më parë. Të tretët më të paguar janë të punësuarit në administratën publike dhe fushën e mbrojtjes me një pagë mesatare prej 71.6 mijë lekë.

Ndërkohë, sipas INSAT sa i takon pagës mesatare për të punësuarit në grup-profesionet e menaxherëve, ligjvënësve, nëpunësve të lartë dhe drejtorëve ekzekutivë paga e tyre është gati 63% më e lartë se mesatarja në nivel kombëtar.