Dita e 42-të/ Punë me tre turne, shihni si kanë avancuar punimet për spitalin e Fierit

43

Në kantierin e Spitalit Rajonal Memorial të Fierit po punohet natë e ditë, me tre turne për të përmbushur angazhimin e qeverisë turke për realizimin e tij në një afat kohor prej 3 muajsh.

Pamjet e mëposhtme vijnë nga dita e 42-të e punimeve në kantierin e Spitalit Rajonal Memorial të Fierit. Me një sipërfaqe prej 50 000 metrash katrorë, 13 000 metra katrorë prej të cilave strukturë spitalore dhe me një kosto prej 70 milionë euro, spitali i Fierit që po ndërtohet në afërsi të autostradës, është duke marrë gjithnjë e më shumë formë.

Pas shtrimit të gjithë infrastrukturës nëntokësore dhe ngritjes së strukturës metalike antisizmike, në kantierin e Spitalit Rajonal Memorial po punohet tashmë në ambientet e brendshme.

Spitali Rajonal Memorial i Fierit do të jetë pjesë e sistemit të shërbimit shëndetësor publik, njësoj si gjithë spitalet e tjera, por do të administrohet krejt ndryshe.

Ky spital do të jetë një shembull i sistemit shëndetësor dhe një qendër e transferimit të teknologjisë dhe dijes nga sistemi shëndetësor turk në sistemin shëndetësor shqiptar.

Administrimi i spitalit, me mbarimin e punimeve, do të kryhet në çdo pavijon prej ekspertëve e mjekëve turq për një periudhë tranzitore, deri në kalimin e kompetencave tek drejtuesit shqiptarë, të cilët do të punojnë krah për krah ekspertëve turq, për ta marrë më pas të gjithë përgjegjësinë.

Spitali Rajonal Memorial i Fierit, sipas premtimit të qeverisë turke, do të përfundojë brenda 3 muajsh.