Dita Ndërkombëtare e Tokës: Si mund t’i vijmë në ndihmë Tokës

2608

22 Prilli është Dita Ndërkombëtare e Tokës, ditë në të cilën ndërgjegjësohen rreth 1 miliard njerëz, që në mënyra të ndryshme mundohen që t’i vijnë asaj në ndihmë. Por përtej klisheve, si mund t’i vijmë në ndihmë Tokës?

Në kuadër të kësaj dite po ju japim 10 këshilla të thjeshta në ndihmë të Tokës:

1- Ecni ose përdorni biçikletën

Nëse e keni punën afër me shtëpinë, këshillohet që të shkoni në këmbë ose me biçikletë, por absolutisht jo me makinë. Kursejini vetes para që do t’i shpenzonit për blerjen e naftës, kursejini vetes kohë nga trafiku i tmerrshëm dhe mbi të gjitha edhe do të digjni disa kalori të panevojshme.

2- Përdorni transportin publik

Edhe Mbretëresha Elizabeta II e përdor transportin publik.

Nëse e keni punën shumë larg nga shtëpia për të shkuar me biçikletë, këshillohet që sërish të mos shkoni me makinë, por në vend të saj të përdorni rrjetin e transportit publik. Avantazhet e përdorimit të transportit publik janë të shumta, si kursim kohe, parash, dhe njëkohësisht gjatë rrugës për në punë ju mund të lexoni në vend që të ngisni makinën dhe të mos stresoheni në trafik.

3- Mos përdorni shishe dhe gota plastike

Ky është një prej sloganeve më të famshme të disa prej kompanive më të suksesshme si Starbucks, e cila i ka zëvendësuar të gjitha gotat që shërben kafe take-away nga plastike në gota kartoni. Madje ka edhe nga ato kompani të cilat shërbejnë kafe take-away vetëm nëse ju shkoni aty me gotë me vete.

Sipas organizatës ambientaliste “Ban the Bottle” më shumë se 38 miliardë shishe uji të pariciklueshme hidhen çdo vit, për krijimin e të cilave harxhohen 17 milionë fuçi nafte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mbrojeni mjedisin dhe veten duke përdorur shishe uji shumëpërdorishme.

4- Thojini jo qeseve plastike

Edhe pse shumica prej nesh e dinë fare mirë se dekompozimi i qeseve plastike kërkon shekuj, ne vazhdojmë t’i përdorim ato po njësoj, në supermarket, në koshat e plehrave etj.

Këshillohet që sa më pak qese plastike të përdorni, aq më shumë do t’i vini në ndihmë tokës. Ato mund t’i zëvendësoni fare mirë me çanta prej cope.

5- Sa më shumë gjelbërim në kopshtin tuaj

Nëse keni shtëpi private me kopsht përpara, këshillohet që të mbillni sa më shumë bimë. Edhe nëse jetoni në apartament, ju fare mirë mund të mbani vazo, në të cilat përveç luleve, mund të mbillni edhe nenexhik, majdanoz etj.

6- Blini produkte vendase dhe të sezonit

Këshillohet që gjithmonë të blini produkte vendase dhe mbi të gjitha të sezonit. Në këtë mënyre ju, jo vetëm që kujdeseni për veten, por edhe ndihmoni në rritjen e prodhimit vendas, gjë kjo që i bën bujqit të kujdesen edhe më shumë për tokën dhe për prodhimet që do të tregtojnë.

7- Kufizoni sa më shumë konsumin e mishit

Nëse ju vendosni që ta ndryshoni rutinën tuaj në mënyrë më radikale, atëherë duhet ta filloni kryesisht nga dieta ushqimore. Këshillohet që një prej produkteve nga të cilat duhet të hiqni dorë është konsumi i mishit, të cilin duhet ta përdorni vetëm në sasi shumë të reduktuara. Konsumi i tepërt i tij jo vetëm dëmton shëndetin tuaj, por mbi të gjitha tokën, në sajë të pesticideve dhe  të plehrave që i hidhen tokës, të cilat janë të domosdoshme sepse shërbejnë si ushqim për pjesën më të madhe të bagëtive.

8- Pastroni më shumë mjedisin publik

Niseni ju të parët, bëhuni vullnetarët e parë të cilët pastrojnë mjedisin përreth tyre jo vetëm në Ditën Ndërkombëtare të Tokës.

Krijoni grupe vullnetare të ndryshme ose bëhuni pjesë e tyre. Një mjedis më i pastër sot, do të thotë një mjedis më i shëndetshëm nesër.

9- Mbillni një pemë

Filloni sot duke mbjellë nga një pemë apo edhe bimë dhe lule të ndryshme dhe bëjeni këtë gjë për çdo muaj. Ndihmojeni Tokën duke e ulur sa më shumë nivelin e erozionit.

10- Përdorni sa më pak letra të printuara

E fundit, por ndër këshillat më të rëndësishme. Kufizojeni në maksimum përdorimin e letrës, duke shmangur prerjen e pemëve dhe mbi të gjitha, duke i ardhur në ndihmë Tokës.