Drejt përfundimit sistemimi i Rrugës Çamëria dhe i Unazës së qytetit, Kavajë

17

Në vitet e fundit Rrethi i Kavajës ka marrë një zhvillim të rëndësishëm social dhe ekonomik, të cilat tregojnë për një të ardhme premtuese dhe të qëndrueshme të zonës. Duke marrë në konsideratë zhvillimin e tij në vitet e fundit por edhe si domosdoshmëri nga kërkesat e kohës, realizimi i projektit për sistemimin e rrugës Çamëria dhe unazës së qytetit lehtëson dhe shkurton kohën e lëvizjes për këmbësorët dhe automjetet.

Me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare, Fondi Shqiptar i Zhvillimit nëpërmjet këtij investimi synon të rrisë sigurinë, aksesin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët dhe gjithashtu me realizimin e kësaj ndërhyrjeje me ndikim në ruajtjen dhe promovimin e vlerave, hapet një shteg i ri për rivitalizimin e aktiviteteve të reja ekonomike dhe zonës urbane.

Si një qytet me traditë në zejtari, ndërhyrja mundëson nxjerrjen e produkteve në tregun vendas por edhe në rajon, ku përfshihen prodhimi i enëve të baltës dhe qelqit, qilimave etj. Më herët zona shquhej për prodhimtari në industrinë e rëndë duke mos i dhënë rëndësinë e duhur bregdetit, e cila mund të rijetëzohet me përmirësimin e infrastukturës dhe ndërlidhjen me zonat përreth.

Aktualisht zona pranë vijës bregdetare njihet për numër të lartë aktivitetesh fitimprurëse por edhe për potencialin e lartë turistik, të cilat do të ndikojnë për diversifikimin dhe zhvillimin e mëtejshëm ekonomik. Me përmirësimin e konektivitetit dhe të infrastukturës në zonën e banuar por edhe për t’i dhënë prioritetin e duhur bregdetit, investimi nxit shtimin e kapaciteteve në hoteleri, restorante, dyqane etj., ku vërehet kërkesë gjithmonë në rritje.