Ato janë dy motra, binjake, por jo të zakonshme. Jeta e tyre është frymëzuese. Historia e Detinës dhe Argita Zallit është ajo që shkruan çdo emigrant shqiptar, që një udhëtim të vështirë, drejt një jetë të re, e shndërron në fitore.
Aktualisht dr. Detina Zalli, punon si drejtoreshë e kurseve shkencore në universitetin Cambridge në Britaninë e Madhe. Ajo ka zhvilluar ndër të tjera postdokturën në Shkollën e Mjekësisë së Harvardit në Shtetet e Bashkuar. Motra e saj binjake, dr. Argita Zalli, është pedagoge mbi bioshkencën mjekësore e klinike, në Imperial College të Londrës. Ajo ka kryer trajnimin e saj kërkimor për postdokturën në Kolegjin Universitar të Londrës.
Së fundmi ato kanë rrëfyer historinë e jetës së tyre në TEDx Swansea, pjesë e programin të njohur TED, nën një ligjëratë të titulluar “Si të kapërcesh vështirësitë”. Gjatë bisedës me Zërin e Amerikës ato flasin mbi përvojën e tyre, vështirësitë dhe arritjet.