Energjia diellore në Shqipëri, ja impiantet që kanë nisur prodhimin

176

Shqipëria ka arritur të diversifikojë burimet e prodhimit të energjisë elektrike. Pas disa dekadash varësie të plotë nga burimet hidrike, vitin e kaluar nisi për herë të parë prodhimi dhe hedhja në rrjet e energjisë nga energjia diellore.

Sipas të informacionit nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), vitin e kaluar hynë në prodhim shtatë impiante fotovoltaike, me një kapacitet total të instaluar prej rreth 14 megavat. Së bashku, këto impiante prodhuan vitin e kaluar rreth 22 GWh (gigavatorë) energji elektrike. Impiantet operative të prodhimit të energjisë diellore janë të vendosura në zonën e Fierit dhe të Lushnjes.

Investimi në kapacitetet e reja të prodhimit të energjisë në dekadën e fundit është mbështetur me politika stimuluese për çmimet. Vitin e kaluar, çmimi i blerjes së energjisë nga impiantet fotovoltaike ishte rreth 71 euro për MWh (megavatorë).

Veç investimeve për impiante të vogla, qeveria shqiptare ka zhvilluar deri tani edhe dy procedura ankandesh për ndërtimin e dy parqeve të mëdhenj fotovoltaikë,  në Akërni dhe në Karavasta. Projektet parashikojnë investime në vlerën e rreth 170 milionë eurove dhe instalimin e një kapacitet prodhues total prej 240 megavatësh.

Risi tjetër në fushën e energjisë diellore pritet të jetë edhe ngritja e impianteve fotovoltaike lundruese, në liqenet e HEC-eve. Dy projekte të tilla po zhvillohen nga kompania Statkraft në liqenin e HEC-it të Banjës dhe nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare në Vaun e Dejës.