Facebook vendos të tjera kufizime dhe është një lajm i mirë

73

Rrjeti më i madh social, Facebook, do të vendosë të tjera kufizime sa i përket publikimit të imazheve. “Daily Mail” raporton se Facebook është zotuar që të ndalojë publikimin e fotografive që paraqesin vetëgjymtime, pra të personave që dëmtojnë vetveten. Rrjeti social është konsultuar me disa ekspertë dhe këto kufizime të reja janë ndërmarrë në kuadër të nismës për të parandaluar vetëvrasjet.

“Ne vazhdimisht analizojmë punën që bëjmë dhe produktet e reja që krijojmë dhe shikojmë se si përdoruesit përdorin në mënyra të ndryshme këto shërbime që ofrojmë”, thotë Antigone Davis, kryetarja e sigurisë së Facebook.

Ajo thekson se ekspertë nga dhjetë vende kanë këshilluar Facebook që të ndalohet shpërndarja në këtë rrjet social e fotografive me përmbajtje vetëvrasëse, për arsye se bëhen shkak dhe nxisin përdoruesit e tjerë.

Bazuar në këtë politikë të re, Facebook do të ndalojë nga javët e ardhshme publikimin e fotove me përmbajtje vetëdëmtimi apo vetëgjymtimi. Kjo politikë tashmë zbatohet edhe në rrjetin tjetër social, Instagram, që është në pronësi të Facebook.