Filma, letërsi, teatër, ekspozita, muzikë…“Tetori Gjerman” surpriza për publikun shqiptar

37

Një vjeshtë interesante, e larmishme dhe emocionuese vjen për publikun kryeqytetas në kuadër të festimeve të Tetori Gjerman 2019. Këtë vit javët e kulturës gjermane në Shqipëri do të zhvillohen nën moton “Gur, gur bëhet URË”.

Është hera e 13-të radhazi, që Ambasada Gjermane në Tiranë, së bashku me partnerë të shumtë dhe me mbështetjen e fuqishme të sponsorëve organizon javët e kulturës gjermane në Shqipëri, traditë e konsoliduar në jetën kulturore gjermano-shqiptare.

“Ne jemi të lumtur që do të mund të vazhdojmë traditën e Tetorit Gjerman duke ofruar
edhe këtë vit një program të larmishëm“, tha Ambasadori Gjerman Peter Zingraf në
prezantimin e programit sot në Ambasadën Gjermane.

“Nën moton‚ ‘Gur, gur bëhet Urë‘ dëshirojmë edhe këtë vit të ndërtojmë ura lidhëse midis kulturës shqiptare dhe gjermane dhe shoqërive tona si dhe të kujtojmë rënien e Murit të Berlinit 30 vite më parë”, u shpreh ambasadori Zingraf.

Përgjatë gjashtë javëve në vijim në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë do të
zhvillohen aktivitete të ndryshme në kuadër të Tetorit Gjerman.

Programi, që partnerët e shumtë të Tetorit Gjerman kanë hartuar, përfshin filma dhe letërsi, teatër, ekspozita, muzikë dhe kërcime sikurse diskutime dhe workshope. Pothuajse të gjitha aktivitetet janë të hapura dhe falas për publikun.

Aktivitetet do të nisin ditën e shtunë, më 5 tetor me një aktivitet kulmor në
qytetin e Shkodrës, ku Orkestra Federale e mirënjohur e Jazz-it do të japë një koncert
Jazz në teatrin “Migjeni”. Përveç kësaj do vi në në skenë të dielën, më 6 tetor në Tiranë përsiatje për lirinë në formë muzikore.

Një koncert klasik me vepra të Beethoven-it do të sjellë në skenë Orkestra Simfonike e RTSH-së së bashku me dirigjentin gjermanopolak Mateusz Molęda dhe pianistin shqiptar Marin Gjollma.

Kërcimi dhe teatri do të na dhurojnë kënaqësi edhe këtë vit 2019. Goethe-Zentrum së
bashku me regjisorin shqiptar Stefan Çapaliku do të sjellin në skenat shqiptare pjesën
teatrale “Eldorado” të autorit Marius von Mayenburg.

Kjo pjesë tregon për një tregtar finok, i cili duke përfituar nga idili sipërfaqësor i families do të hapë një biznes pasurish të patundshme në vende të largëta, të shkatërruara dhe të pushtuara.
As letërsia gjermanofolëse nuk do të mungojë këtë vit. Autorja Meral Kureyshi do të
prezantojë romanin e saj “Elefantë në kopësht”. Edhe në projektet me nxënës
gjermanishtfolës ne dëshirojmë të trajtojmë tema si liria, vetëpërmbushja dhe toleranca
ndërnjerëzore.

Arti modern dhe bashkëkohor gjerman do të bëhet i prekshëm për publikun në mënyra
nga më të ndryshmet. Nga njëra anë, do të kemi ekspozitën e artistes gjermanoshqiptare Anna Ehrenstein, e cila merret në veprat e saj me vetëportretizimin e grave.

Goethe-Zentrum nga ana e saj do të organizojë një rezidence interaktive kulturore për
Komunën e Parisit, në lagjen e Tiranës që mban po të njëjtin emër.

Në formatet e ndryshme të aktiviteteve do të trajtohen përsëri tema krejt aktuale
shoqërore dhe politike.

Ashtu sikundër vitet e shkuara të dashuruarit pas kinemasë do të kenë gjithashtu pjesën
e tyre këtë tetor ku do të shfaqen produksione të suksesshme gjermane apo gjermanofolëse të viteve të fundit me titra në shqip.

Pjesë e programit janë filmi “Rruga Bornholm”, i cili I përshtatet temës së rënies së Murit të Berlinit, po ashtu filmat për fëmijë dhe të rinj “Amelia vrapon”, “Korridoreve” dhe filmi dokumentar “Virgjëresha e betuar dhe vajza”, një film mbi traditën shqiptare të burrneshave.