Sipas AZHBR-së, thirrja për aplikime do të qëndrojë e hapur nga data 25.02.2022 deri më 25.03.2022. Në total janë të paktën 13 masa ku përfshihet gjithashtu edhe mbështetja me naftë për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi.
Masat që do të mbështeten:
- Mbështetje për fara/fidanë dhe inpute të tjera me 200 mijë lekë për ha për sezon dhe jo për më shumë se 2 sezone, për kultivimin e perimeve, rrushit për tavolinë në serra dhe/ose luleshtrydhe në tunele plastike për fermerë individual ose grup fermerësh, me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 ha dhe jo më shumë se 1 500 000 lekë për aplikant;
- Për ndërtimin e serrave diellore të reja për prodhimin e perimeve me sipërfaqe jo më pak se 1 ha dhe jo më shumë se 5 ha për subjekt, përfshirë edhe instalimin e sistemit të ujitjes. Masa e përfitimit të jetë në 50 % të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 13 milionë lekë për ha;
- Mbështetje për kultivimin e bimëve mjekësore e aromatike në vlerën 60 mijë lekë/ha, për fermerë individual ose grup fermerësh, me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 ha por jo më shumë se 1 milion lekë për aplikant;
- Fermat organike për periudhën në kalim, vitin e parë, në vlerën 100 mijë lekë, në vitin e dytë, 150 mijë lekë, vitin e tretë 150 mijë lekë dhe 200 mijë lekë për fermë të certifikuar.
- Implementimi dhe certifikimi Global GAP, në perime, fruta, rrush, ullinj, agrume dhe kultura të tjera bujqësore të certifikueshme, në masën 50 % të vlerës totale të faturës tatimore:
– por jo më shumë 175 mijë lekë, në sipërfaqe jo më pak se 1 ha;
– por jo më shumë se 500 000 lekë, për sipërfaqe jo më pak se 3 ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 10 ha në fushë të hapur.
- Për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 100 (njëqind) krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën 1 200 lekë/krerë, por jo më shumë se 360 000 lekë për subjekt, ndërsa për fermat me jo më pak se 10 krerë lopë, në vlerën 10 000 lekë/krerë, por jo më shumë se 500 000 lekë për subjekt.
- Mbarështim i bletarisë me 1 000 lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 zgjoje, por jo më shumë se 150 000 lekë për subjekt.
- Për blerjen e anijeve të peshkimit tregtar profesional, që zëvendësojnë anijet ekzistuese. Masa e përfitimit të jetë në 50 % të vlerës totale të faturave tatimore të blerjes, por jo më shumë se 20 000 000 lekë për subjekt peshkimi.
- Për rinovimin infrastrukturës së anijes së peshkimit. Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore të blerjes, por jo më shumë se 7 250 000 lekë për anije peshkimi të pajisur me leje të vlefshme peshkimi tregtar dhe jo më shumë se 20 milion lekë për subjekt.
- Mbështetje për ndërtimin e tregjeve të produkteve bujqësore dhe/ose tregjeve të kafshëve të gjalla për shoqëritë aksionare me kapital 100% publik, në vlerën jo më shumë se 30 000 000 lekë.
- Mbështetje për ngritjen e një skeme kombëtare trajnimi në bujqësi dhe ngritjen e Qendre të Ekselencës dhe Inovacionit të sistemeve prodhuese në Universitetin Bujqësor të Tiranës në bashkëpunim me një nga Universitetet Evropiane, në vlerën deri në 50 000 000 lekë.
- Mbështetje për automatizimin dhe digjitalizimin e proceseve të punës në fermë. Masa e përfitimit të jetë në 50 % të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 1 000 000 lekë për subjekt.
- Mbështetje me naftë për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi.
AZHBR njofton se, aplikimet për masat mbështetëse direkte me nr. 1, 3 dhe 7 do të bëhen on-line në portalin e-Albania me “zero dokumente”. Aplikimet për masat mbështetëse të investimeve me nr. 2, 8, 9, 10 dhe 12 do të bëhen me dosje në zyrat qendrore të AZHBR; Aplikimet duhet të dorëzohen në zyrat qendrore të AZHBR-së në zarfe të mbyllura.
“Çdo aplikim me dosje fizike, i mbërritur në AZHBR pas datës 25 mars 2022, jashtë orarit zyrtar, do të refuzohet”, njofton AZHBR.