FOTO/ Transformohet totalisht stadiumi i Luzi 2008

19

Skuadra e Kategorisë së Parë, Luzi 2008, rikthehet të luajë në fushën e vet, pasi investimi i Federatës Shqiptare të Futbollit në bashkëpunim me klubin kavajas ka përfunduar dhe stadiumi i transformuar totalisht dhe i përshtatur me kushte moderne është gati të presë ndeshjet e kampionatit.

Bëhet fjalë për një investim të rëndësishëm të ndërmarrë nga FSHF me një vlerë të konsiderueshme për të bërë ndërhyrje të rëndësishme në këtë stadium, që është rikonstruktuar nga e para dhe tashmë gëzon standarde të shkëlqyera për ndeshjet e kampionatit, duke përmirësuar nivelin e infrastrukturës sportive.

Më konkretisht investimi i FSHF-së konsiston në rikonstruksionin e plotë të bazamentit të fushës duke i shtuar edhe sistemin e ri të vaditjes për ta kompletuar me fusha e re me bar natyral, që është e standardeve më të mira.

Përveç fushës që është ndërtuar në parametra mjaft të mira, njësoj si edhe në stadiumet më të mira në Shqipëri tashmë, FSHF ka financuar për stolat e rinj të tribunës, si edhe është kujdesur për sistemime të tjera në të gjithë stadiumin, ndërkohë që përveç blerjes së bazës materiale për të gjithë investimin është kujdesur përmes ekspertëve të saj për të gjitha fazat e punimeve.

Është ndërhyrë edhe në dhomat e zhveshjeve, që janë rikonstruktuar totalisht, teksa në këtë fazë është investuar edhe klubi i Luzit 2008 përmes bashkëfinancimit. Ky investim vjen në kuadër të politikave të FSHF-së për të bashkëpunuar me klubet në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës sportive, qoftë duke ndërtuar fusha të reja apo duke rikonstruktuar stadiumet anembanë vendit që kanë nevojë për ndërhyrje.

Ceremonia e inaugurimit të këtij investimi të rëndësishëm do të zhvillohet ditën e diel, më datë 19 shkurt 2023, para fillimit të ndeshjes Luzi 2008 – Korabi, e vlefshme për javën e 16-të të Kategorisë së Parë.

/ata.gov.al