FOTOT/ Liqenet e Balgjajt, mrekullia natyrore që të lë pa fjalë

32

Balgjaj është mal me lartësi 2101 m dhe ndan bazenin e Drinit në lindje me atë të Matit në perëndim. Balgjaj është pjesë e vargmalit Lurë-Dejë-Balgjaj-Martanesh me shtrirje nga veriu drejt jugut.

Balgjaj ndërtohet prej shkëmbinjsh ultrabazikë që formojnë një masiv të stërmadh dhe që fillon në Lurë e përfundon në Martanesh. Proçeset akullnajore e kanë përpunuar kurrizin e tij dhe kanë formuar cirqe, lugje e kreshta akullnajore, në të cilat gjenden rreth 15 liqene akullnajore.

Vetëm në pjesën perëndimore të tij që i përket bashkisë Klos, gjenden 9 liqene. Nga ana lindore gjenden liqenet e Kasnisë (Dibër) dhe të Bulqizës. Në total, Balgjaj ka 21 liqene, pjesa më e madhe e të cilëve mbajnë ujë gjatë gjithë vitit.

I gjithë vargmali nga Lura në Martanesh përbën masivin malor me numrin më të madh të liqeneve akullnajore në vendin tonë (këtu gjenden rreth 2/3 e gjithë liqeneve akullnajore që kemi).

Liqenet e Balgjajt nga ana perëndimore (pjesa e bashkisë Klos) mbajne emra të ndryshëm si; Liqeni i zi, liqeni i luleve, liqeni i zotnive, liqeni i dhive etj. Liqenet akullnajore gjenden në lartësinë 1800 metra mbi nivelin e detit, fare afër majës së malit.

Liqenet e fotografuara këtu gjenden mbi fshatin Kurdari dhe për ti vizituar ato ndiqet rruga Burrel (ose Klos) – Kurdari – liqenet e Balgjajt. Përveç peizazhit do gjeni edhe gatime tradicionale super të shijshme. Si një ndër pasuritë e rralla të këtoj lloji, liqenet duhen menaxhuar në mënyrën e duhur, me plane mbrojtje e masa zhvilluese./ Nga Abdulla Diku