FOTOT/ Mrekullia e fundit e teknologjisë – Dy në një, del treni-autobus

122

Ky mjet është edhe autobus, edhe tren. Është, në fakt, mjeti i parë me modalitet të dyfishtë, që mund të ecë si në rrugë, ashtu edhe në shina. Autobusi-tren, ose treni-autobus, debutoi këtë të shtunë në qytetin japonez Kaiyo.

Duket si një minibus që ecën rregullisht në rrugë me goma. Por kur mbërrin në kryqëzim, futet mes shinave dhe aty dalin rrotat e çelikta, duke e kthyer në një lokomotivë. Rrotat e trenit ngrenë ato të rrugës.

CEO i kompanisë që përdor mjetin, Asa Coast Railway, tha që ky mjet mund të ndihmojë qytezat e vogla, si në rastin e Kaiyos, ku popullsia është e moshuar dhe duke u zvogëluar gjithnjë e më shumë dhe ku kompanitë e transportit hasin gjithmonë e më tepër vështirësi për të nxjerrë fitime. “Ky mjet mund të arrijë në çdo zonë, të marrë udhëtarët si autobus e më pas t’i ngjisë mbi shina”, tha Shigeki Miura për Reuters. “Presim që të ketë sukses, sidomos në zonat rurale”.

Autobusi-tren mban deri në 21 udhëtarë dhe mund të ecë me një shpejtësi deri në 60 km/h në shina, ndërsa deri në 100 km/h në rrugë. Ai punon me një motor me naftë dhe do të nisë të përdoret fillimisht në ishullin Shikoku në jug të Japonisë, ku do të lidhë një sërë qytezash teksa ecën buzë detit, për të ofruar edhe një peizazh relaksues për udhëtarët.