FOTOT/ Nga macja e egër tek kaprolli dhe kunadhja, kamerat kurth surprizojnë sërish

106

Për të tretin vit rradhazi, prej fundit të muajit shtator e deri ne fillim të dhjetorit, PPNEA po zhvillon studimin me kamera kurth në rajonin e Prespës, një studim i cili zbatohet në nivel ndërkufitar prej partnerëve të PrespaNet, përgjatë vitit. Në filim të kësaj jave të fundit të muajit tetor, eskpertët e PPNEA, së bashku me vullnetarë nga zona e Prespës dhe nga Tirana, realizuan kontrollin e parë të kamerave kurth, si dhe përfunduan vendosjen e plotë të tyre në Parkun Kombëtar të Prespës.

Sërish, monitorimi me metodën e kamerave kurth provoi se është shumë i suksesshëm duke fotografuar shumëllojshmërinë e jetës së egër të rajonit të Prespës, plot 9 lloje gjitarësh, si ariu i murrmë (Ursus arctos), ujku (Canis lupus), kaprolli (Capreolus capreolus), derri i egër (Sus scrofa), macja e egër (Felis sylvestris), lepuri (Lepus europaeus), dhelpra (Vulpes vulpes), kunadhja (Martes foina), apo dhe baldosa (Meles meles).

PPNEA ka realizuar vendosjen e 21 kamerave kurth në shtigjet pëgjatë rajonit të Prespës dhe, në vecanti, këtë vit po studion edhe përdorimin e disa bio-korridoreve, të cilat do të ndihmojnë për të kuptuar lëvizshmërinë e ariut të murrmë apo llojeve të tjera në këtë rajon.

Puna për nisjen e këtij studimi u bashkërendua edhe me AdZM Korçë, së bashku me projektin e Rezervës Ndërkufitare të Prespës, në bashkëpunim me të cilin është realizuar edhe vendosja e një pjese të kamerave kurth në Parkun e Prespës.