FOTOT/ Parku “Shebenik-Jabllanicë”, destinacion i preferuar turistik

54

E ndërsa në majat e malit e Kallkanit ka zbritur bora e bardh, në tapetin e pyllit të Parku Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë”, janë shpalosur ngjyrat e vjeshtës si një telajo gjigante që josh jo vetëm turistë vendas, por dhe të huaj me magjinë natyrore të kësaj zone.

Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Elbasan poston pamje të mbërritjes së vjeshtës në Parkut Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë” e cila ka shpalosur magjinë e ngjyrave.

Mali i Kallkanit 2189 m mbi nivelin e detit, ndodhet në pjesën veriore të Parkut Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë” në kufi me Maqedoninë. Një mrekulli natyrore e ndërthurur midis maleve, pyjeve, livadheve e burimeve ujore. Vjeshta me ngjyrat e saj të argjendta ofron peizazhe të mrekullueshme dhe kushte të shkëlqyera për të gjithë të apasionuarit pas natyrës.

Parku Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë” është një nga destinacionet më të preferuara të turistëve vendas dhe të huaj. Ka një florë dhe faunë të jashtëzakonshme dhe bukuri marramendëse.

“Shkëmbinjtë gëlqerorë zënë një pjesë në Parkun Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë” të cilët kanë një funksion të rëndësishëm ekologjik. Shkëmbinjtë gëlqerorë përmbajnë një gamë të gjërë mineralesh të cilat hyjnë në shtresën e tokës, gjithashtu ndihmojnë në zvogëlimin e aciditetit të tokës duke krijuar një habitat më të favorshëm për jetën e egër”, shprehen specialistët.

Është e mahnitshme të mendosh se si toka, shkëmbinjtë, flora dhe fauna e egër bashkëveprojnë së bashku duke formuar një sistem ekologjik.

Parku Kombëtar i Ekosistemit Shebenik – Jabllanicë shtrihet në verilindje të vendit tonë, në kufijtë e administrimit pyjor të Librazhdit dhe ka sipërfaqe të përgjithshme prej 33 927,66 ha, ku pjesën kryesore ezënë pyjet, pastaj kullotat, tokat bujqësoree ato jo prodhuese, shkëmbore, si dhe trojet. Parku ka shtrirje më të madhe se 40 km, në veri nga fshati Steblevë deri në jug në fshatin Rrajcë, duke mbuluar një sipërfaqe prej 33.929 ha. Malet e Parkut Shebenik – Jabllanicë dominohen nga thepisjet e theksuara dhe variojnë me lartësi nga 300m deri në 2.262 (Maja Rreshpes – Shebenik).