Shqipëria njihet për vreshtat më të vjetra në Evropë, por ditëve të sotme vreshtaria në vendin tonë është në rilindje të plotë.
Sot ky sektor është gjerësisht i përhapur dhe një burim i rëndësishëm i të ardhurave dhe vetëpunësimit për një numër të madh të fermave bujqësore.
Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, arrijnë mbi 300 mijë numri i fermerëve që kultivojnë rrushin në vreshta dhe pjergulla, nga jugu e deri në veri të vendit.
Ndërkohë që sipërfaqja e mbjellë me vreshta janë rritur ndjeshëm vitet e fundit në mbi 10.000 ha.
Krahas varieteteve autoktone, janë përshtatur mjaft mirë në tokën shqiptare dhe kultivohet masivisht, dhe varieteti i rrushit të famshëm “Chardonnay”.
Dy vjet nga implementimi i programit IPARD II të financuar me 94 milionë euro nga qeveria shqiptare dhe BE, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) ka paguar 60 % të kontratave të firmosura me fermerë dhe agropërpunues, për përfitimin e granteve nga investimet në bujqësi, ku vend kryesor zë mbështetja në vreshtarinë dhe industrinë e verërave “Made in Albania”, që po zgjeron eksportet në tregjet ndërkombëtare.