FOTOT/ Udhëtim familjarizues në gjurmën e “Via Dinarica”, perla e Alpeve

141

I krijuar dhe i zgjeruar pjesë-pjesë përmes një morie nismash dhe projektesh si kombëtare ashtu edhe ndërkombëtare e ndërkufitare,  korridori “Via Dinarica” përshkron Alpet Dinarike, një nga vargjet malorë më masive të Evropës me 650 mbi 1000 km shtrirje përgjatë brigjeve lindore të Adriatikut.

Shtegu dinarik është një mega-udhëtim me emër në tregun botëror të  turizmit të aventurës që kalon në zemër të Ballkanit Perëndimor dhe lidh shtatë vende fqinje. Është konsideruar parajsë e natyrës dhe është një nga rrugëtimet malore më të eksploruara në Evropë. Përveç aktiviteteve të tilla si ecje, çiklizim ski, kajak, rafting dhe te tjera, vizitorët mund të përjetojnë përvoja të ndryshme të jetesës tradicionale, dhe të shijojnë kuzhinat lokale. Në fshatrat malore janë ndërtuar dhe po ndërtohen dita-ditës “bujtina dhe mëngjez”, si dhe shtëpi  të vogla që ofrojnë strehim, ushqim, si dhe aktivitete të lehta në natyrë.

Nga data 4 deri në 6 Nëntor 2020, Fondi Shqiptar i Zhvillimit organizoi në zonën e Tropojës, një Tur familjarizues me gjurmën e Via Dinarica në zonën ndërkufitare Shqipëri-Kosovë. Moren pjesë përfaqësues të agjencive që organizojnë ture, shoqatave, guida të ecjes në natyrë nga Shqipëria dhe nga Kosova.

Udhetimi familjarizues kishte si qëllim promovimin e një oferte të re turistike përgjatë rajonit kufitar Shqipëri-Kosovë, duke i lidhur ato në të dy anët e kufirit me udhëtimin malor të quajtur “Via Dinarica” dhe duke i bërë pjesë të këtij “brand-i” të famshëm. Është pjesë e një projekti të zbatuar nga dy anët e kufirit me mbeshtetjen e Bashkimit Europian dhe që implementohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Fondi për Zhvillim Komunitar në Kosovë.

Ne perfundim te ketij projekti që mbaron në Maj 2021, Via Dinarica do të zgjatet me 180 km shtigje për biçikleta dhe ecje për këmbësorë ne te dy anet e kufirit Kosovë – Shqipëri. Projekti do të sjellë shtigje të kompletuara me sinjalistikën, interpretimin informimin dhe shënjimin përkatës. Ndërtimi i ballkoneve panoramike eshte gjithashtu një nga angazhimet e këtij projekti.

Gjatë tre diteve pjesëmarrësit vizituan zonat e Ceremit, Sylbicës, Luginën e Valbonës duke vizituar Liqenin e Qenve, Liqenin e Sylbices, Liqenin e Xhemes, Mullirin e vjeter dhe atraksione te tjera natyrore qe i ndeshen gjatë rrugëtimit të tyre.

Dreka e lamtumirës u organizua me gatimet tradicionale të zonës, për ti promovuar këto të fundit.