FOTOT/ Ura e Mesit në Shkodër tërheq mijëra vizitorë

43

Ura e Mesit, 8 km larg qytetit të Shkodrës mbi lumin Kir, vijon të tërheqë vëmendjen e vizitorëve vendas e të huaj.

Ky monument kulture i kategorisë së I, me vlera të mëdha dhe simbol i qytetërimit të lashtë ka mikpritur këtë fundjavë vizitorë të shumtë, që kontribuojnë në njohjen e Shkodrës dhe kulturës së saj mijëravjeçare, përmes promovimit të thesareve të trashëgimisë tonë kulturore.

Gjatë ditëve të fundit ky monument iu nënshtrua edhe procesit të mirëmbajtjes periodike nga vegjetacioni. Specialistët e DRTK Shkodër, po vijojnë punën në terren duke u kujdesur në mirëmbajtjen dhe pastrimin nga bimësia e ulët dhe e lartë në të gjithë Monumentet e Kulturës dhe Parqet Arkeologjike.

Ura e Mesit është një monument kulture me vlera të mëdha dhe simbol i qytetërimit të lashtë. Kjo urë është një objekt që tërheq vizitorë të shumtë.

Me gjatësi 108 metra, gjerësi 3.40 metra dhe me 13 harqe jo simetrike, për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri. Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe uji i pastër i lumit Kir.