FOTOT/ Vjosa, lumi i fundit i egër i Evropës

28

Lumi Vjosa në Shqipëri është një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës. Në rrugën e saj mbi 270 km, Vjosa rrjedh e pandikuar në mënyrë të natyrshme, karakterizuar nga kanione të bukur, rrjedha të rrëmbyeshme, ishuj dhe kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme.

Çfarë e bën këtë lumë vërtetë të veçantë ndërkombëtarisht është fakti, se pothuajse të gjitha degët e tij rrjedhin të pandërprera dhe të paprekura, duke krijuar një rrjet lumor të gjallë si diçka që nuk haset më aktualisht në Evropë.

Burimi kryesor i lumit Vjosa është në territorin grek në afërsi të fshatit Vouvoussa (nga i cili ka marrë dhe emrin). Në 80 km e para të rrjedhës së tij, përmes Greqisë lumi quhet Aoόs, ndërsa me hyrjen në territorin shqiptar ai ndryshon emër dhe quhet Vjosë. Në Shqipëri dy tributarët kryesor janë Lumi Drinos (gjithashtu buron në territorin grek) dhe Lumi i Shushicës, i cili gjendet ndërmjet maleve, midis Vlorës dhe Gjirokastrës. Lugina e Vjosës zë një sipërfaqe totale prej 6,700 km2 nga Greqia në Shqipëri. Prurjet mesatare të shkarkimit në Detin Adriatik janë rreth 204 m3/s.

Vjosa shërben si kufi i shumë zonave të mbrojtura përgjatë luginës së saj (3 prej të cilave janë përcaktuar si Park Kombëtar sipas kategorizimit të IUCN II).