FOTOT/ Zbulohen gjetje arkeologjike të periudhës ilire në Mirditë

218

Një enë e plotë qeramike, që i takon “Kulturës Ilire të tumave të Matit” u identifikua në fshatin Kthellë të Mirditës.

Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore realizuan hulumtimin në terren të gjetjeve arkeologjike rastësore, pas njoftimit të dhënë nga banorët e zonës, pranë fshatit Kthellë në Mirditë, ku në sipërfaqe u konstatuan fragmente qeramike, bronzi, eshtrash.

Po në sipërfaqe u gjet edhe një enë e plotë. Sipas studimeve paraprake rezulton se objekti i zbuluar është një enë qeramike me dy vegje vertikale, të zhvilluara mbi buzë, që daton i periudhës së hekurit.

Specialistët pranë Drejtorisë së Shërbimit Arkeologjik pranë IKTK realizuan gjithë procesin e pastrimit dhe të restaurimit të enës, si edhe regjistrimin e saj si pasuri kulturore në “Regjistrin Kombëtar të Pasurive Kulturore”.

Për këdo që dashuron klimën alpine dhe ajrin, të kombinuar me arkitekturën, traditën dhe historinë, Mirdita, është një krahinë që nuk duhet humbur. Monumentet arkeologjike të Mirditës i përkasin më së shumti periudhës së hershme të Mesjetës në Shqipëri e njohur gjithashtu si “Periudha e Arbrit”, edhe pse në këtë qytet ka varre dhe objekte të shumta që tregojnë se ky ka qenë një vendbanim ilir që në periudhën e Bronzit, rreth 2000 vjet para erës sonë.