FOTOT/ Zbulohet koloni e re me 100 çifte folezuese e dallëndyshes së detit në Gjirin e Lalëzit

77

Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri, (PPNEA) gjatë këtij sezoni ka monitoruar folezimin e dallëndyshes së detit (Glareola pratincola) në afërsi të Zonës së rëndësishme për Shpendët dhe Biodiversitetin (IBA) në Gjirin e Lalëzit.

Shoqata “Shpendët e Shqipërisë” bën të ditur se “krahas monitorimit të procesit të folezimit në koloninë ekzistuese, ekipi ynë realizoi kërkime të mëtejshme në zonë, në mjediset ku dyshohej se mund të kishte folezim. Këto kërkime mundësuan gjetjen e një blloku të ri folezimi të këtij lloji, me së paku 70 dhe së shumti 100 çifte folezuese, rreth 1 km distancë ajrore nga kolonia e mëparshme”.

Sipas saj, në momentin e gjetjes, rreth 70% e çifteve folezuese ishin ende në ditët e fundit të inkubimit, ndërsa në pjesën tjetër mosha e zogjve të çelur nuk ishte më e madhe se 7 ditë.

“Në anën tjetër, në koloninë e raportuar më parë, vetëm në një pjesë të vogël të foleve kishte ende inkubim, ndërsa tek të tjerat zogjtë kishin çelur dhe ishin në moshë të ndryshme, duke filluar nga të sapoçelurit deri tek ata që po kryenin fluturimet e para. Kjo gjetje e re e çon numrin e çifteve në këtë koloni në së paku 200 dhe së shumti 230, çfarë e bën këtë koloni, me shumë mundësi, më të madhen e këtij lloji në Europë”, – thekson Shoqata “Shpendët e Shqipërisë”.

Këtë pohim, shton ajo, e bazojmë në kërkimet e deritanishme dhe vlerësimin tonë, duke u mbështetur në faktin se vetëm 6 vende të kontinentit kanë raportuar popullata me mbi 500 çifte të këtij lloji.

“Prej tyre, gjasat e ekzistencës së një kolonie të të tilla përmasave mund të jenë vetëm në 1 ose 2 vende, për të cilat informacioni i detajuar mbi folezimin e këtij lloji mungon. Në të njëjtën kohë, kjo gjetje e re e shndërron zonën në fjalë, sërish me shumë mundësi, në zonën më të rëndësishme në Europë për sa i përket madhësisë së popullatës folezuese të dallëndyshes së detit”, – nënvizon kjo shoqatë.

Kjo zonë ofron habitat të shkëlqyer për këtë lloj, qoftë për hapësirat e folezimit por edhe për sasinë e bollshme të ushqimit