Furnizuesi kryesor i Tiranës, gjithçka që duhet të dini për Liqenin e Bovillës

177

Liqeni i Bovillës gjendet rreth 15 km në verilindje të qytetit të Tiranës, përfshirë si zonë e mbrojtur brenda Parkut Kombëtar të Dajtit.

-Sipërfaqja e pasqyrës së liqenit është 4.6 km2, kurse sipërfaqja e basenit ujëmbledhës rreth 98 km2.

-Ka një thellësi mesatare prej 18 m dhe thellësi maksimale prej 53m.-Është formuar nga ndërprerja e lumit të Tërkuzës me një digë prej rreth 80 m të lartë, në grykën e Zall Herrit (ose të Bovillës).

-Përfundimisht Ujëmbledhësi është mbushur me ujë në gusht 1998.

-Prej vitit 1998, është furnizuesi kryesor me rreth 50% të gjithë konsumit të ujit të pijshëm për qytetin e Tiranës dhe gjithë zonën e banuar për rreth.

-Bimësia në pellgun e Bovillës përfshin të katër zonat fitoklimatike.

-Në hapësirën përreth tij gjenden rreth mbi 860 lloje bimësh të larta, ku familjet më të bollshme në lloje janë: Fabaceae (99 lloje), Asteraceae (87), Poaceae (76) dhe Lamiaceae (55).

-Është i pasur në lloje bimore të rralla, të kërcënuara ose në rrezik zhdukje ( Chamaecytisus tommasinii, Colchicum lingulatum, Colchicum pieperanum, Orchis provincialis etj).

-Ka rëndësi dhe për nga larmia e bimëve mjekësore dhe etero-vajore të pranishme (Hypericum perforatum., Rosa canina, Orchis spp).

-Zona përreth Bovillës ka një bukuri mahnitëse me ujëvarën e Bovillës, grykën e Bovillës dhe shkëmbinjtë përreth. Shumë agjenci dhe operatorë turistikë e shfrytëzojnë këtë reliev për kacavjerrje dhe ngjitje në shkëmbinj.

Në vitin 2006 në kanionet e Bovillës u zbulua një pikturë shkëmbore prehistorike e bërë nga një popullsi sedentare gjatë mijëvjeçarëve II e I para erës së re, duke pohuar se brezi i makjeve në hapësirën midis lumit të Tiranës dhe lumit të Erzenit gjatë epokës pre e proto-historike ka pasur kushte shumë të favorshme për banim.