Gati plani për shlyerjen e 87 mln euro borxhe të bashkive

235
Erasing Debt

Erasing Debt

Në vitin 2016, janë evidentuar detyrimet e prapambetura të akumuluara nga çdo bashki deri në 31 dhjetor 2015, të cilat në total kishin  vlerën rreth 12.2 miliard lekë ( 87 milionë euro), shifër kjo e cila do të verifikohet më tej gjatë procesit të shlyerjes së detyrimeve.

Ministria e Financave në kuadër të përcaktimit të kuotave të financimit të pushtetit lokal për vitin që vjen ka bërë me dije se, tashmë e ka gati një plan veprimi port shlyerjen e borxheve që bashkitë e reja kanë akumuluar ndër vite. Njësitë e vetëqeverisjes vendore gjatë vitit 2016, kanë shlyer rreth 1.7 miliardë lekë detyrime. Ndërsa është një plan që parashikon shlyerjen e detyrimeve në periudhë afatmesme dhe nëse bashkitë e  reja nuk e respektojnë këtë plan qeveria do të kushtëzojë dizbursimin e grantit të pakushtëzuar.

Detyrimet e njësive të vetëqeverisjes vendore janë krijuar si rrjedhojë e keq menaxhimit të financave publike në nivel vendor si dhe parashikimit optimist të të ardhurave.

Ligji i ri për financat vendore do të forcojë disiplinën financiare për të parandaluar akumulimin e detyrimeve të prapambetura në të ardhmen.

Detyrimet e prapambetura po shndërrohen në një burim të vazhdueshëm i rrezikut financiar për këto njësi. Shlyerja e detyrimeve të papaguara në kohë do të eliminonte një rrezik potencial fiskal dhe efektin e saj negativ në ekonominë vendase.

Në këtë kuadër, dhe duke u fokusuar tek problematika që detyrimet e prapambetura përfaqësojnë një rrezik të konsiderueshëm fiskal jo vetëm për njësitë e vetëqeverisjes vendore, por për të gjithë qeverisjen e përgjithshme, Ministria e Financave në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtare ka hartuar një plan veprimi për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, i cili duhet zbatuar nga ana e njësive të vetëqeverisjes vendore, duke filluar nga ky vit.

Plani i veprimit për shlyerjen e këtyre detyrimeve përmban një informacion të qartë  mbi historikun e detyrimeve të prapambetura, shkaqet dhe arsyet e pamundësisë për të shlyer këto –detyrime, masat e marra deri tani dhe situata aktuale dhe masat konkrete të marra deri tani nga ana e njësive vetëqeverisëse vendore dhe masa e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura deri tani.

Burimi: Revista Monitor