Gjesti që duhet përshëndetur/ Drejtori i Përgjithshëm i policisë pret në zyrë qytetaren dhe i kërkon falje publikisht

40

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu i ka kërkuar falje publikisht një qytetareje.

Ardi Veliu, që është edhe një prej zyrtarëve më të lartë të shtetit shqiptar, priti në zyrën e tij, Zaida Çobon, nënën e një 15-vjeçari që u dhunua nga një efektiv policie, gjatë periudhës së karantinës.

 “U takuam me zonjën Zaida Çobo, e cila me të drejtë u ndje e lënduar nga komenti im që mori edhe shumë kritika publike. Dëshiroja që ndjesën time publike t’ia bëja zonjës personalisht dhe më vjen mirë për mirëkuptimin e saj. Përfitoj nga rasti ta përsëris edhe njëherë që jam i keqardhur për komentin tim dhe shpresoj që të jetë kuptuar nga të gjithë që ato fjalë nuk kishin qëllim fare të justifikonin policin (i cili është pezulluar menjëherë pas ngjarjes). Po ashtu nuk më ka shkuar kurrë mendja të lëndoj zonjën apo familjen e saj me atë koment. Ndjesë edhe njëherë!” – u shpreh Drejtor Veliu pas bisedës.

Ky është një veprim që duhet përshëndetur nga të gjithë, pasi nuk ndodh shpesh që zyrtarët e lartë të kërkojnë falje publikisht për gabimet e tyre dhe t’i pranojnë ato.

Le të jetë ky veprim i zotit Veliu, një nisje e mirë edhe për zyrtarët e tjerë, që të tregohen të kujdesshëm me deklaratat e tyre publike dhe të kenë një qasje të tillë ndaj qytetarit dhe ligjit.

Të gjithë kemi momentet tona të dobësisë, që mund të na çojnë në gabime. Ndoshta kjo ndodhi edhe me drejtorin e policisë, që lëshoi një koment të papërshtatshëm ndaj zonjës Çobo.

Ndjesa publike e Veliut, që është pranuar nga nëna e 15-vjeçarit, për PO.AL është një lajm i mirë. Ndaj mendojmë se ky veprim duhet përshëndetur dhe ndarë me lexuesit tonë.