Grafitë mjekësore tani bëhen 3D dhe me ngjyra

21

Kërkuesit në Zelandën e Re kanë realizuar një skaner me rreze-X që arrin të japë imazhe nga brendësia e trupit të njeriut në të tria dimensionet, dhe me ngjyra.

Kjo mënyrë do t’i mundësonte mjekët të bënin diagnostikime shumë më të qarta të kancerit e të semundjeve të tjera, duke pakësuar nivelin e ndërhyrjes në trup gjatë operimit.

Grafitë tradicionale shfaqen me vetëm dy ngjyra, e bardha e kockave, të cilat thithin rrezet X, dhe e zeza e indeve që nuk i thithin.

Makineria e re mund të shquajë inde të ndryshme të buta, që nga kërcet, dhjami e deri te lëngjet, duke analizuar grimcat e dritës që secila i jep ndryshe.

Të dhënat merren nga kompjuteri dhe rindërtohen me ngjyra, siç tregon dhe fotoja e kyçit të dorës.

Kjo teknologji është përshtatur nga një instrument që fizikantët kanë përdorur te CERN, laboratori europian i fizikës së grimcave në Gjenevë, Zvicër.