Gushti, rekord historik për Shqipërinë. Ja sa turistë kaluan pushimet në vendin tonë

108

Numri i turistëve arriti një rekord historik në gusht teksa Shqipëria u vizitua nga 1 milionë e 556 mijë shtetas të huaj brenda një muaj.

Të dhënat janë raportuar nga INSTAT, sipas të cilit krahasuar me gushtin e vitit të kaluar numri i të huajve që vizituan vendin është rritur me 7.4 përqind.

Gushti përkon me pikun e sezonit turistik. Por sipas INSTAT, fluksi i vizitorëve të huaj ka qenë në rritje përgjatë gjithë vitit. Sipas të dhënave, në total për periudhën janar gusht të këtij viti, Shqipëria është vizituar nga 4 milionë e 870 mijë të huaj ose 10.8 për qind më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

INSTAT thotë se pjesa dërrmuese ose 96 për qind e të huajve që hyjnë në Shqipëri kanë ardhur për qëllime pushime, ndërsa pjesa e mbetur për arsye të tjera.

Por nga vijnë më së shumti të huajt që zgjedhin Shqipërinë për të bërë pushime?

Sipas INSTAT, në vend të parë renditen kosovarë. Në 8 muajt e parë të këtij viti Shqipëria u vizitua nga gati 1 milionë e 840 mijë kosovarë ose 15 për qind më shumë se viti I kaluar. Pas kosovarëve, renditen shtetasit e Maqedonisë së Veriut me 520 mijë vetë. Greqia dhe Italia mbajnë vendin e tretë dhe të katërt, ndërsa në vendin e pestë dhe të gjashtë renditen Mali i Zi dhe Gjermania.