Hapen 50 vende të lira për punonjës të nivelit bazë në Gardën e Republikës

35

50 vende të lira janë shpallur për punonjës të nivelit bazë në Gardën e Republikës. Ministria e Brendshme njoftoi sot se, aplikimet janë të hapura deri në 20 nëntor 2021.

Kandidatët për punësim në Gardën e Republikës do të ndjekin kursin e formimit në Kolegjin Profesional të Formimit Policor, në Akademinë e Sigurisë.

Sipas MB, kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët janë: të jetë shtetas shqiptar; të ketë zotësi të plotë për të vepruar; të jetë i pajisur me vërtetimin e besueshmërisë; të ketë përfunduar arsimin e mesëm; të jetë i moshës 19-30 vjeç; të jetë me gjatësi trupore jo më pak se 175 cm për meshkujt dhe 170 cm për femrat; të jetë i aftë nga ana shëndetësore për të kryer shërbim në  struktura që, sipas ligjit, lejohet të mbajnë armë; të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e  një krimi apo për kryerjen e një kundravajtjeje penale me dashje; të mos jetë në ndjekje penale; të mos jetë përjashtuar ose larguar nga puna për shkelje ligjore apo disiplinore; të mos i jetë hequr e drejta e ushtrimit të funksioneve në administratën publike me vendim gjyqësor të formës së prerë.

MB shton se, aplikanti që nuk plotëson qoftë edhe një nga kriteret e mësipërme, nuk kualifikohet dhe nuk duhet të vazhdojë aplikimin.

Sa i përket dokumenteve që duhet të paraqesin kandidatët, MB thekson se, “aplikantët duhet të paraqesin në fazën e parë të konkurrimit dokumentet e mëposhtëm: Kërkesë dhe Formularin e aplikimit që e shkarkoni online. CV (Kurikulum vitae). Kopje të kartës së identitetit. Dëftesën e shkollës së mesme ose listë notash, të cikluar në Drejtorinë Arsimore të Rrethit, të fotokopjuar dhe të noterizuar. Vërtetim nga Gjykata. Vërtetim nga Prokuroria. Raport i aftësisë në punë (sipas shtojcës V, të VKM nr. 596, datë 04.09.2019), nga mjeku i familjes. Dëshmi për kualifikimet e kryera (në qoftë se ka). Deklaratë personale mbi pastërtinë e figurës (Plotësohet kur aplikanti paraqitet për testim). Dy foto (9 X 12) me këmishë dhe kollare.

MB thekson se dokumentet duhet të dërgohen me postë në adresën: “Garda e  Republikës, Rruga e Elbasanit, Pallati i Brigadave, Tiranë”, brenda datës 20.11.2021″.

Sa i përket shqyrtimit të dokumentacionit dhe procesit të ankimimit, afati i shqyrtimit dhe verifikimit të dokumentacionit është 3 ditë pune nga mbyllja e afatit të aplikimeve.

Aplikanti, që nuk plotëson kriteret dhe nuk ka paraqitur dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të aplikimit, skualifikohet. Aplikanti ka të drejtën e ankimit brenda 2 ditëve nga data e njoftimit të përgjigjes. Komisioni i apelimit shqyrton dhe kthen përgjigje brenda 5 ditëve nga data e marrjes së ankesës me telefon ose adresë e-mail.

Sa i përket testimit të kandidatëve, kandidatët e kualifikuar në fazën e dorëzimit të dokumentave, duhet të paraqiten në orën 08:00 të datës 23.11.2021, në adresën: “Qendra e Formimit dhe Kualifikimit Profesional, të Gardës së Republikës, Mullet, Tiranë”.

Kandidatët do t’i nënshtrohen testimit në tri faza: Vlerësim i aftësive shëndetësore, intervista dhe testi psikologjik, testim i aftësive fizike.

Aplikanti skualifikohet në rastet kur nuk kalon kontrollin shëndetësor; nuk kalon testin psikologjik; nuk kalon testimin e aftësive fizike; nuk paraqitet në kohën e caktuar në një nga fazat e testimit.

Sa i përket mënyrës së vlerësimit të kandidatëve MB thekson se, kandidatët aplikues që të kualifikohen, duhet që në testimin fizik bazë të arrijnë rezultatin minimal 50 pikë. Renditja e kandidatëve do të bëhet sipas rendit zbritës të pikëve.