Hapet në Itali shkolla për barinj: Ja si u vjen në ndihmë të rinjve në blegtori

40
Aftësimi i të rinjve si barinj e blegtorë në kushtet e shkëputjes së zinxhirit të trashëgimit të zanatit nga njeri brez në tjetrin, sidomos në zonat e thella malore, është ideja e krijimit të shkollave të barinjve në disa vende europiane, mbështetur nga programet e BE-së.
Së fundmi një kurs i tillë formimi profesional do të ngrihet në Prill në Itali e do të quhet “Shkolla e Barinjve”.
Gazeta prestigjoze italiane “La Repubblica” i kushtoi një artikull kësaj ngjarjeje ku shpjegon me detaje idenë që ka nisur të përhapet në vendet e BE-së.
Nën titullin “Hapet në Casentino shkolla e parë për barinj”, gazeta shkruan se: Krijimi i një shkolle për edukimin e barinjve dhe blegtorëve të rinj,  ka për qëllim  të kontribuojë për të përballuar mungesën e trashëgimit nga brezi në brez që prek këtë sektor, veçanërisht në zonat malore. “ShepherdSchool”, ndërtuar mbi modelin e eksperiencave evropiane, parashikon një rrugëtim formativ që i mundëson pjesëmarrësve pasjen me instrumenta bazë teorikë dhe praktikë, të nevojshme për hapjen e një aktiviteti të ri në këtë sektor.
Shkolla do të jetë e organizuar në mënyrë që të garantojë një ofertë të dyfishtë formative: një pjesë teorike – me leksione në klasë të drejtuara nga personel teknik i kualifikuar, me propozim specifik për secilin nga modulet (dymbëdhjetë në total, me kohëzgjatje tetë orë secili), shoqëruar nga vizita pranë ndërmarrjeve të këtij sektori – dhe një pjesë e dytë e praktikës, që zgjat gjithsej tridhjetë ditë (jo të vazhdueshme), në të cilën pjesëmarrësit do të punojnë së bashku me prodhues profesionistë në territorin e Parkut Kombëtar Casentino.
Gazeta citon se “leksionet teorike do të mbahen gjatë fundjavave nga prilli në qershor, për t’i dhënë mundësinë e pjesëmarrjes edhe atyre që janë përkohësisht të punësuar diku tjetër. Ndërsa kurset do të mbahen nga docentë, studiues dhe ekspertë që i përkasin partnerëve (DAGRI – Università degli studi di Firenze, si dhe shoqatat Difesativa, Rete Appia dhe Slow Food, bashkëpunëtorë të projektit. Regjistrimi në shkollë është falas”.
Kjo masë, inicohet në kuadër të politikave ambientale evropiane, që tregon se shumë aktivitete ekonomike mund të kontribuojnë për të ruajtur diversitetin dhe zhvillimin e ekonomisë rurale, nënvizon në shkrimin e saj  “La Repubblica”.
/businessmag.al