Historia e parasë, kur u përdoren për herë të parë në botë dhe kur në Shqipëri

4864

Paraja na nevojitet për të blerë.

Dikujt i lindi ideja që duhej gjetur një mjet shkëmbimi që do të pranohej nga të gjithë në shkëmbim të produkteve të tyre. Dhe kështu u krijua paraja…

Monedhat e para

Paraja nuk ka pasur që në fillim formën që ka sot. Në fillim janë përdorur sende të veçanta për shkëmbim si guaska, kripa, etj. Me kalimin e kohës filloi të përdorej ari dhe argjendi. Meqenëse këto metale janë rezistente, të ndashme dhe jetëgjatë, ato vlerësoheshin nga të gjithë. Sipas historianit Herodot, monedhat e para prej ari dhe argjendi u prodhuan nga banorët e lashtë të Anadollit Lindor (zona e Izmirit të sotëm, në Turqi) gjatë shekullit VII para erës sonë. Ato vërtet ishin më të lehta për t’u numëruar dhe transportuar sesa lingotat e arit, por megjithatë, kishin dy probleme kryesore: peshonin shumë dhe vidheshin lehtësisht nga hajdutët.

Kartëmonedhat e para

Në shekullin e XI tregtarët venecianë që nuk dëshironin të mbanin me vete të gjitha monedhat e tyre të arta, filluan t’i linin ato në bankë. Në këmbim, banka u jepte atyre letra (dëftesa) në të cilat shënohej sasia e monedhave që ata kishin. Këto letra ishin shumë të nevojshme për tregtinë sepse banka premtonte që do t’i jepte sasinë e arit të shënuar në to, cilitdo që i zotëronte këto letra. Tregtarët filluan t’i përdorin këto letra për të paguar mallra të ndryshme dhe kështu lindi kartëmonedha. Në ditët tona, bankat qendrore janë të vetmet që, sipas ligjit, mund të emetojnë monedhën dhe kartëmonedhën. Deri në shekullin e kaluar, këto banka emetonin aq kartëmonedhë, sa ishte vlera e arit që ruanin në arkat e tyre.

Historia e parasë në Shqipëri

Në vendin tonë prerja (shtypja) e monedhave e ka zanafillën që në shekullin e IV p.e.s në Dyrrah (Durrësi i sotëm) dhe Apolloni (Pojan i Fierit), ku qytete të ndryshme në Iliri kishin monedhën e tyre. Në shkurt të vitit 1926, u bë edhe qarkullimi i monedhës së parë kombëtare shqiptare, të emetuar nga Banka Kombëtare e Shqipërisë (sot Banka e Shqipërisë). Si njësimonetare zyrtare u caktua frangu ar. Monedha jonë kishte nënfishat (leku, qindarka – 1 franga ar ishte baraz me 5 lek dhe 100 qindarka) dhe shumëfishat e saj (5, 20 dhe 100 franga ar). Ndërsa që prej vitit 1947, njësia monetare në vendin tonë është Leku.