Ibrahim Kodra, “Pikasoja shqiptar” që la pas 6 mijë vepra dhe “pushtoi” botën

38

Ibrahim Kodra është padyshim një ndër piktorët më të mëdhenj shqiptarë, i njohur dhe vlerësuar edhe në Europë.

Ai lindi më 22 prill të vitit 1918 në Ishëm. Pas një fëmijërie të vështirë, arriti të merrte një bursë nga Mbretëria e Shqipërisë, e të studionte në Milano, në një nga akademitë më të mira të kohës, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brera-s.

Në 1944 hapi studion e tij të parë në Milano. Në 1948, çeli ekspozitë personale dhe në grup, në “Klubin e Artit”, në Romë, ku takoi dhe u bë mik me Pablo Pikason.

Në 1950 ai pikturoi afreske në muzetë dhe ndërtesat më të rëndësishme të Milanos. Më pas, Ibrahim Kodra, mori pjesë në ekspozita si dhe vendosi raporte të ngushta përveç Pikasos, me Henri Matis, Modiljanin e të tjerë emra që kanë bërë historinë e pikturës botërore.

Kodra ka qenë një piktor shumë prodhimtar. Ai ka lënë më shumë se 6 mijë piktura, të cilat gjenden në Muzeun e Vatikanit, në Dhomën e Deputetëve, në Parlamentin Italian, në Muzeun Kodra në Lugano (Zvicër), në Muzeun Kodra në Milano (Itali), në muzeume të tjera si dhe koleksione private anembanë botës.

I vlerësuar si postkubist nga kritika, Ibrahim Kodra në 1996 mori titullin “Nderi i Kombit” dhe në 1997, kur sapo kishte pikturuar “Albania Fantastica”, u shpall Konsull Nderi dhe iu dha pasaporta diplomatike e Republikës së Shqipërisë.