Idlir Shyti/ Një yll shqiptar në ngjitje ndërkombëtare si violonçelist

221

Të mësuar me tingëllimin e emrave të mëdhenj të interpretimit muzikor ndërkombëtar me origjinë shqiptare si këngëtarët lirikë Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, Enkelejda Shkoza; të violinistëve Tedi Paparavi, Kristi Gjezi, Klajdi Sahati apo të pianistëve aktiv si Dhurata Lazo, Desar Sulejmani, Marsida Koni, Maniola Camuset-Trebicka, Ida Dili, Elida Dakoli, Redi Llupa etj., ndoshta ju ka shpëtuar emri i Idlir Shytit, violonelistit të talentuar shqiptar që zhvillon aktivitetin e tij artistik në Londër, i cili me siguri, do të përfshihet shumë shpejt në yllësinë e krenarisë sonë artistike me njohje ndërkombëtare.

Po cili është dhe çfarë e bën kaq të veçantë Idlirin?

Lindi në Elbasan më 26 mars 1991 në një familje me origjinë nga Kora. Kreu tetëvjeçaren për violonçel në shkollën artistike ONUFRI dhe dy vite në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë nën drejtimin e pedagogut Astrit Selita. Zotëron një formim solid si muziktar ku ndër të tjera përmendim se në prill të vitit 2018 u diplomua me titullin ‘Diplôme Superieur de Concertiste’ me Anssi Karttunen në École Normale de Musique de Paris; studimet e masterit i kreu në Royal College of Music në Londër nën drejtimin e Richard Lester dhe ato bachelor ne Conservatorio di Santa Cecilia në Romë, me Maurizio Gambini. Pra, Romë-Londër-Paris, një trekëndësh i artë për formimin e tij muzikor. Ka marrë pjesë në masterklase me violonçelistë të njohur botërore si: Yo-Yo Ma, Gary Hoffman, Wen Sinn Yang, Enrico Dindo, Giovanni Sollima, Johannes Goritzki, Jérôme Pernoo mes të tjerësh dhe masterklase në muzikë dhome me Sacconi Quartet, Gryphon Trio, Allegri Quartet etj. Aktualisht është duke punuar me Southbank Sinfonia në Londër.

Idlir Shyti ka interpretuar si solist me Südwestdeutche Kammerorchester, Orchestra del Conservatorio di Santa Cecilia, Orkestra e Akademisë të Arteve, Southbank Sinfonia, Hounslow Symphony Orchestra dhe ka marrë pjesë në festivale si “Festival Atlanta Sonoro”, “Rome Chamber Music Festival”, “Cello Biennale”, “Musica a Roma për Roma” në salla prestigjioze të muzikës si “Palazzo Barberini”, “Salle Cortot”, “Amaryllis Fleming Concert Hall”, “King’s Place”, “Charlton House”. Si orkestrant ka performuar nën drejtimin e dirigjentëve të njohur si Gabor Takasc Nagy, Bernard Haitink, Jack van Steen, Nicholas Collon, Philippe Entremont, Brett Dean duke luajtur në salla prestigjioze si Royal Festival Hall, Queen Elisabeth Hall, Saint-Martins in the Fields, Milton Court në Londër, Sheldonian Theatre ne Oxford, Town Hall Birmingham, Leith Theatre Edinburgh, Théâtre de Champs Elysèes ne Paris, Konzerthaus Berlin.

Nga një dëgjim dhe vëzhgim i kujdesshëm i lojës së tij në violonçel konstaton qartazi disa elemente, aq të domosdoshëm për ti pasur çdo muziktar interpretues i kalibrit.

Së pari, ndjeshmërinë e hollë muzikore, zotërimin tërësor të teknikave të lojës në violonel, spektrin e gjerë të repertorit që luan, prej barokut deri në muzikën kontemporane bashkë me lehtësinë për të ndryshuar dhe përshtatur stilin e lojës me to. Një shtrirje gjeografike prej Evropës në Azi e Amerikë e muzikës që interpreton është një tjetër shenjë (ndonëse e tërthortë) e kapacitetit intelektual përthithës që ai zotëron. Mjafton të dëgjoni prej tij Bahun, Shumanin, Cajkovskin, Masnenë, Rahmaninovin, Shostakoviin, Respigin, Dusapenin, Tan Dunin etj . Thjesht e admiron për atë që ka arritur me punën dhe përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm.

Eshtë e domosdoshme, por edhe e natyrshme që publiku shqiptar të njihet me arritjet e këtij talenti, i cili është, gjithashtu, në vazhdën e emrave të mëdhenj të elistëve shqiptarë si Ymer Skënderi, Gjergj Antoniu, Gëzim Laro, Astrit Selita, Pjetër Guralumi etj, e sigurisht institucionet përkatëse dhe dashamirësit e muzikës të ndikojnë që artin e interpretimit të tij ta prekim e shijojmë edhe këtu në Shqipëri, në vendin e origjinës së Tij, të cilën ai e ka të pandarë nga vetja. Suksese të tjera Idlir në rrugën e gjatë që ke nisur. *Kompozitor, akademik