Informacion i rëndësishëm/ Shtetet ku mund të udhëtojnë lirisht shqiptarët dhe ku kërkohet karantina e tamponi

126

Qeveria ka listuar shtetet ku qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë lirisht, ku kërkohet karantina dhe tamponi.

Kuvajt

Shteti i Kuvajtit nuk lëshon asnjë lloj vize për hyrje në Kuvajt deri në një njoftim tjetër. Shtetasit shqiptarë të cilët posedojnë leje qëndrimi kuvajtiane, mund të hyjnë në Kuvajt duke paraqitur testin PCR të bërë 72 orë para mbërritjes në Kuvajt dhe i nënshtrohen karantinës 14 ditë.

Greqi

Shtetasit shqiptarë me pasaportë shqiptare nuk mund të udhëtojnë drejt Greqisë deri në datën 31 gusht. Gjithashtu, në fluturimet nga Tirana në Athinë kërkohet test negativ i Covid (nga data 7-31 gusht), ndërsa në kufirin tokësor (Kakavijë dhe Kapshticë) testi negativ do të kërkohet duke filluar nga data 17 gusht.

Armeni

Armenia nuk lejon hyrjen nga shtetet e tjera përveç shtetasve armenë dhe atyre me leje qëndrimi në Armeni. Shtetasit që hyjnë i nënshtrohen karantinës 14 ditore.

Qipro

Shqipëria hyn në kategorinë C të shteteve me rrezikshmëri të lartë të Covid, e për rrjedhojë shtetasve me pasaportë shqiptare nuk iu lejohet hyrja. Shtetasve që iu lejohet hyrja nga kjo kategori, duhet të kenë kryer testin e COVID-19 para mbërritjes, ose ta bëjnë atë sapo mbërrijnë me shpenzimet e tyre dhe të rrinë në karantimin 14 ditor.

Tunizia

Shqipëria është në kategorinë e kuqe, të shteteve që nuk iu lejohet hyrja në Tunizi. Atyre që për arsye specifike iu lejohet të hyjnë, duhet të kenë kryer testin COVID-19 120 orë përpara, si dhe të karantinohen për 7 ditë në një nga hotelet e caktuara.

Spanjë

Shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë për në Spanjë kur kanë leje qëndrimi të vlefshme; kur kanë arsye esenciale, të cilat justifikojnë qëllimin e ardhjes; Spanja nuk aplikon, deri tani, regjim karantine për shtetasit shqiptarë.

Belgjikë

Për shtetasit shqiptarë të cilët udhëtojnë në Belgjikë (vetëm udhëtime esenciale nëse nuk kanë dokumente qëndrimi), është i detyrueshëm plotësimi i formularit 48 orë përpara udhëtimit dhe karantinimi prej 14 ditësh.

Luksemburgu

Në pritje të përgjigjes zyrtare nga autoritetet.

Mbretëri e Bashkuar dhe Irlandë

Në MB dhe Irlandë, mund të hyjnë nga Shqipëria shtetasit e këtyre vendeve (Irlandë dhe MB) dhe të gjithë shtetasit e tjerë (perfshirë ata shqiptarë) që kanë leje qëndrimi në këto vende. Të gjithë shtetasit e lartpërmendur, i nënshtrohen karantinimit 14 ditë.

Republika Çeke

Shtetasit shqiptarë nuk mund të udhëtojnë në Republikën Çeke, nëse ata nuk kanë leje qëndrimi në këtë shtet. Nëse një qytetar çek ose një qytetar i huaj (shqiptar) me leje qëndrimi në Republikën Çeke ka vizituar Shqipërinë, në kthim duhet të bëjë/paraqesë testin ose të vetëkarantinohet për 14 ditë.

Suedia, Finlanda, Norvegjia dhe Islanda në vijim të Rekomandimeve të Këshillit të BE, për shtetet anëtare të BE, kanë vendosur zgjatjen e përkohshme të ndalimit të hyrjeve në EU nëpërmjet këtyre vendeve për shtetet jashtë BE/ZEE, përkatësisht:

Suedi: Vendimi për kufizimin e hyrjes është shtyrë deri më 31.08.2020. Nuk zbaton masën e karantinës.

https://www.regeringen.se/artiklar/2020/03/information-om-uds-arbete-med-anledning-av-coronaviruset/

Finlandë: Vendimi për kufizimin e hyrjes është shtyrë deri më 08.09.2020. Është vendosur testimi i detyrueshëm në të gjitha pikat kufitare të hyrjes. Për ata që vijnë nga zona me rrezikshmëri të lartë do të ketë edhe karantinim.

https://www.raja.fi/current_issues/guidelines_for_border_traffic

Norvegji: Vendimi për kufizimin e hyrjes është shtyrë deri më 01.10.2020. Zbatohet karantina për personat që vijnë nga zonat me rrezikshmëri të lartë, sipas hartës së publikuar nga ata, përfshirë edhe Shqipërinë.

https://www.regjeringen.no/no/aktuelt/reiserad_forlenges/id2724431/ ​

Islandë: Vizitorët duhet të bëjnë një regjistrim praprak. Është e nevojshme kryerja e testit të Covid dhe sipas zonës ku futen edhe kryerja e karantinës.

https://www.covid.is/categories/tourists-travelling-to-iceland

Zvicër

Aktualisht hyrja e shtetasve shqiptarë nuk është e lejuar, me përjashtim të rasteve të veçanta, siç mund të jenë emergjencat shëndetësore, familjarë të shtetasve zviceranë apo atyre me rezidencë në Zvicër, etj.

Ndërkohë për shtetasit që kanë të drejtë të udhëtojnë nga Shqipëria në Zvicër, qofshin këta pjesëtarë të diasporës me leje qëndrimi në Zvicër apo shtetas zviceranë të cilët mund të kenë ardhur në Shqipëri për arsye turizmi apo pune, nuk aplikohet karantinimi i detyrueshëm.

Sqarohet se që prej fillimit të muajit korrik, autoritetet  zvicerane kanë përpiluar një listë me shtetet me rrezikshmëri të lartë infektimi, listë e cila përditësohet periodikisht. Deri më sot, Shqipëria është jashtë kësaj liste, ndryshe nga gjithë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Personat që udhëtojnë nga vendet me rrezikshmëri të lartë kanë detyrimin të vetë-karantinohen për 10 ditë që nga momenti i hyrjes në Zvicër.

Gjermani

Sipas udhëzimeve të MPJ gjermane dhe MB pas hyrjes në Gjermani pas qëndrimit në një zonë rreziku ku përshihet edhe Shqipëria udhëtarët duhet të: vazhdojnë direkt në destinacionin e tyre pas hyrjes në Gjermani;izolohen në shtëpi ose në një akomodim të përshtatshëm; me email ose telefon të njoftojnë autoritetin kompetent, si rregull, Ministrinë e Shëndetësisë në zonën e vendbanimit / akomodimit në landin përkatës.

Ministria Federale e Shëndetësisë ka njoftuar se në të ardhmen e afërt kushdo që arrin në Gjermani nga një zonë e rrezikut do t’i kërkohet t’i nënshtrohet një testi COVID-19. Procedura dhe masat e zbatimit në nivel landi mund të ndyshojnë nga një land tek tjetri dhe është e nevojshme të kontrollohet paraprakisht faqja zyrtare e secilit land. Lidhur me rastet kur testet e COVID-19 kryhen në aeroport udhëzimet lidhur me kohën e pritjes së rezultatit dhe karantinimit jepen edhe nga zyrtarët e aeroportit.

Austri

Momentalisht shtetasit shqiptarë nuk mund të udhëtojnë drejt Austrisë dhe situata nuk duket se do të ndryshojë së shpejti. Austria lejon tranzitin si dhe udhëtimin e shtetasve shqiptarë të cilët kanë leje qëndrimi në Austri ose në një nga Vendet Shengen (por jo nëse vijnë nga Suedia, Spanja, Portugalia). Gjithashtu, hyrja nga Shqipëria edhe e shtetasve me leje qëndrimi lejohet nëse personat kanë test negativ, i nënshtrohen karantinimit ose kryejnë testin brenda 48 orëve nga hyrja.

Franca dhe Portugalia nuk lejojnë udhëtimin drejt tyre të shtetasve shqiptarë të cilët nuk janë të pajisur me vizë D të vlefshme apo me leje qëndrimi në këto 2 vende. Përjashtim bëjnë vetëm diplomatët, vizitat zyrtare si dhe punonjësit e transportit apo stafet mjeksore dhe humanitare.

Për kategoritë që lejohet, aktualisht nuk ka detyrim testi të COVID-19 apo karantinim të detyrueshëm për shtetasit shqiptarë në asnjërin nga këto dy vende.

Mali i Zi

Në Mal të Zi shtetasit shqiptarë mund të hyjnë duke paraqitur testin negativ të COVID-19 jo më të vjetër se 48 orë.

Rumani

Rumania për momentin nuk lejon hyrjen e shtetasve shqiptarë që nuk kanë leje qëndrimi apo vizë afatgjatë në Rumani ose në një vend të BE-së. Sipas Vendimit të Qeverisë për zgjatjen e Gjendjes së Alertës, datë 15 korrik 2020, përjashtohen nga ky rregull anëtarët e delegacioneve sportive ndërkombëtare, të cilët marrin pjesë në kompeticione sportive të organizuara në territorin e Rumanisë, sipas ligjeve në fuqi.

Megjithatë, duke qenë se Gjendja e Alertës përfundon në datë 16 gusht, pritet që në ditët në vijim të dalë një vendim i ri i Qeverisë për zgjatjen e Gjendjes së Alertës. Lidhur me këtë, do të informohet mbi rregullat e reja që do të aplikohen.

Gjithashtu, në këto momente, Shqipëria nuk ndodhet në listën rumune të vendeve me risk të lartë epidemiologjik. Për rrjedhojë, nuk është detyrim karantinimi apo vetë izolimi.

Maqedoni e Veriut

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, shtetasit shqiptarë aktualisht mund të udhëtojnë pa asnjë detyrim karantinimi apo testi negativ për Covid 19.

Hungari

Personat që vijnë nga vendet e kategorisë së kuqe, ku aktualisht përfshihet edhe Shqipëria, duhet të karantinohen për dy javë në Hungari. Pra, ky rregull nuk ka si kriter shtetësinë e qytetarëve por vendet nga vijnë.

Sa i përket hyrjes apo kalimit tranzit në Hungari, qytetarët shqiptarë duhet të bëjnë një aplikim online te faqja e policisë hungareze.

Linku i aplikimit në gjuhën angleze gjendet si më poshtë: https://ugyintezes.police.hu/en/uj-ugy-inditasa​

Pas plotësimit të tij, në adresën e emailit të vendosur nga personi, policia hungareze kthen përgjigje brenda 24 orësh me vendimin e marrë për lejimin apo moslejimin e hyrjes.

Izrael

Në Izrael, me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, është në fuqi karantinimi 14 ditor, për të gjithë udhëtarët (izraelite dhe të huaj), që hyjnë në territorin izraelit.

Bullgari

Nga ana e autoriteteve bullgare është lejuar hyrja e qytetarëve shqiptarë në Bullgari që më 28 korrik 2020 me kushtin e paraqitjes së përgjigjes negative të testit PCR. Përgjigja negative e testit PCR duhet të jetë e përkthyer në gjuhën angleze.

Në rastin e organizatorëve, sportistëve dhe pjesëmarrësve, që udhëtojnë për motive të pjesëmarrjes në kompeticione sportive, që do të zhvillohen në Bullgari, kërkohet pajisja me dokumentacionin përkatës për këtë qëllim nga Ministria respektive e Sportit. Në dokumentacionin e Ministrisë duhet të përcaktohet vendi, ku do të zhvillohet kompeticioni sportiv si dhe lista e pjesëmarrësve. Ky dokumentacion duhet të paraqitet pranë​ autoriteteve kufitare bullgare.

Australi dhe Zelandë e Re

Fluturimet ajrore janë kufizuar maksimalisht për shkak të shpërthimit të një vale të re nga Covid-19. Gjithashtu aeroportet kryesore janë thuajse të mbyllur dhe për ata pak udhëtarë që mbërrijnë në këto vende, është e detyruar karantina prej dy javësh në hotel dhe kryerja e ekzaminimeve laboratorike.

Hollandë

Hollanda (NED) nuk i ka hapur ende kufijtë me shtetasit e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë këtu dhe RSH. Rrjedhimisht për momentin, lejohen të udhëtojnë drejt territorit të Hollandës vetëm shtetas shqiptarë me leje qëndrim hollandez ose të shteteve të tjera të BE, ose shtetas shqiptarë që kanë shtetësi të dytë hollandeze ose të BE.

Gjithashtu, të gjithë personat (pavarësisht shtetësisë) të cilët udhëtojnë drejt Hollandës nga Shqipëria dhe nga vende të tjera të cilat kanë raste infektimi me COVID-19, do të duhet të karantinohen në banesat e tyre për një periudhë 2 javore.

Katar

Duke filluar që nga fillimi i muajit gusht, të gjithë shtetasit e huaj me leje qëndrimi dhe ID katariane, por që për arsye të pandemisë COVID-19, kanë mbetur jashtë Katarit, mund të kthehen në Katar të pajisur me një “Leje Kthimi” që mund të shkarkohet nga Qatar Portal në linkun: https://portal.www.gov.qa/ëps/portal/qsports/home. Në varësi të vendit nga vijnë dhe faktorë të tjerë, ata do të duhet të shkojnë në karantinë në shtëpi ose karantinë hoteli pas mbërritjes në Aeroportin Ndërkombëtar Hamad.

Në faqen elektronike të Qatar Airways përditësohet vazhdimisht lista e vendeve me risk të ulët. Shqipëria ende nuk bën pjesë në këtë listë vendesh kështu që udhëtarët nga Shqipëria duhet të jenë të pajisur me testin PCR jo më të vjetër se 72 orë dhe të marrë nga një Laborator mjekësor i licencuar.

Slloveni

Për Slloveninë, Shqipëria sa i përket situatës epidemiologjike të COVID-19, është pjesë e listës së kuqe. Në listën e kuqe, Sllovenia deri në datën 7 gusht ka përfshirë 58 vende.

Në këto kushte, ndaj shtetasve shqiptarë për hyrje, dalje e qëndrim në Slloveni zbatohen kufizimet e rregullat e mëposhtme:

Mund të lëvizet tranzit përmes territorit të Sllovenisë drejt Shqipërisë (nëpërmjet Kroacisë) me pasaportë të vlefshme shqiptare (Sllovenia ka pranuar aktin normativ të qeverisë shqiptare për shtyrjen e vlefshmërisë së pasaportave që u ka kaluar afati gjatë vitit 2020 deri në 31 dhjetor 2020, por jo Kroacia) brenda 12 orësh;

Shtetasit shqiptarë me pasaportë të vlefshme nuk mund të hyjnë në territorin e Sllovenisë, pa patur arsye të veçanta (humanitare, etj.) dhe me miratim paraprak të autoriteteve sllovene dhe/ose të autoriteteve të vendit të destinacionit. Por më parë, me notë Ambasada e Shqipërisë kërkon miratim nga autoritetet sllovene. Të sillet në vëmendje se Sllovenia përfaqëson kufirin e jashtëm të zonës Shengen;

Shtetasit shqiptarë me pasaportë të vlefshme, që vijnë nga Shqipëria dhe janë të pajisur me leje qëndrimi ose pune në Slloveni, lejohet të hyjnë në Slloveni, por janë të detyruar t’i nënshtrohen karantinës 14 ditore. Para hyrjes në territorin e Sllovenisë, në pikat e kalimit kufitar, shtetasit duhet të japin të dhëna të sakta për adresën në Slloveni, si dhe numër telefoni;

Lejohet të lëvizin tranzit në Slloveni, brenda 12 orësh shtetasit shqiptarë, që kanë pasaportë të vlefshme dhe leje qëndrimi ose pune në një vend anëtar të BE-së, apo pjesë e zonës Shengen;