INSTAT zbulon dy qarqet që kanë blegtorinë më të zhvilluar në Shqipëri

51

Prodhimi blegtoral në vendin tonë ka ardhur në rritje të qëndrueshme, kjo në sajë të shtimit të investimeve në ferma e komplekse blegtorale, por edhe në linja e fabrika të reja të përpunimit të qumështit.

Sipas të dhënave të INSTAT, qarku i Fierit dhe ai i Korçës, dallojnë për ritmet më larta të zhvillimit të blegtorisë vitin e fundit.

INSTAT bën të ditur se, përqendrimi më i madh i numrit të krerëve është në Qarkun e Fierit me 16,15 % dhe në Qarkun e Korçës me 10,87 % ndaj numrit gjithsej të gjedhëve. Ndërsa numri i krerëve të gjedhit shënoi rritje edhe në zonat Has, Kukës, Tropojë, Fushë-Arrëz.

Në fund të vitit 2020, në të gjithë vendin numëroheshin 362 mijë krerë gjedhë.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural bën të ditur se janë mbi 1880 fermerë të kualifikuar në total, përfitues të Skemës Kombëtare 2021 për masën e mbështetjes në blegtori, që marrin pagesë të drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit.

Për masën “Tufa bazë e matrikulluar”, fermerët përfitojnë 1200 lekë/krerë, por jo më shumë se 360,000 lekë për subjekt, për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 70 krerë dele dhe/ose dhi, ndërsa për fermat me jo më pak se 5 krerë lopë, në vlerën 10,000 lekë/krerë, por jo më shumë se 500,000 lekë për subjekt.