Investimi 90.5 milionë euro, hapet tenderi për linjën hekurudhore Tiranë-Rinas-Durrës

64

Hekurudha shqiptare ka hapur zyrtarisht procedurën e tenderimit për kompanitë që do të kryesojnë rehabilitimin e hekurudhës që lidh Durrësin me Tiranën si dhe krijimin e linjës së re hekurudhore mes Tiranës dhe Aeroportit Nënë Tereza, njofton BERZH.

Financimi për ndërtimin dhe rehablitimin e  këtyre dy linjave vjen në formën e huas nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe në formën e një granti nga Fondi i Investimeve i Ballkanit Perëndimor.

Procedura e tenderimit është hapur më 31 Tetor dhe do të zgjasë deri më 15 janar të vitit 2020. Në procedurën e tenderimit do të mund të marrin pjesë vetëm ato kërkesa që janë kualifikuar më parë.

Procedura do të ndahet në dy pjesë dhe pjesa e parë do të konsistojë vetëm në propozimet teknike, ndërsa pjesa e dytë do të ketë ndryshimet e propozuara nga hekurudha shqiptare mbi këtë projekt teknik të propozuar nga secila kompani pjesëmarrëse.

Projekti i përbashkët që do të lidhë me hekurudhë Tiranë me Aeroportin Nënë Tereza dhe më pas me Durrësin parashikon ndërtimin e 39 kilometrave linjë të re hekurudhore, pra jo-ekzistuese. Kosto totale e tij fiksohet në 90.5 milionë euro.