Investimi mbi 100 milionë euro/ Gati ndërtimi i parkut fotovoltaik në zonën e Karavastasë

65

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur hapjen e ankandit për ndërtimin e parkut fotovoltaik në zonën e Karavastasë, me një fuqi të instaluar prej 140 MW. Vlera e investimit për këtë vepër energjetike përllogaritet në mbi 100 milion euro, ndërkohë që për 70 MW shteti do të garantojë blerjen e energjisë dhe 70 MW të tjerë do të mund të tregtohen në treg të lirë.

Investitorët e interesuar do të kenë afat deri në datën 16 mars 2020 për dorëzimin e ofertave, ndërkohë që fituesi do të përzgjidhet në bazë të çmimit që do të ofrojë, teksa çmimi tavan është 55 euro/MW.

Referuar afateve të shpallur, ministria planifikon që deri në datën 8 maj të ketë mbyllur të gjithë procedurat e nevojshme dhe të ketë lidhur kontratën me investitorin, ndërkohë që vetëm pas nënshkrimit të saj do të shikohet sesa do të jetë kohëzgjatja e ndërtimit të këtij parku.