Me ndërtimin e TAP, gjatë tre viteve të ardhshme parashikohet që PBB-ja e Shqipërisë pritet të rritet me rreth 160 milionë euro. Ndikimin më të lartë, projekti pritet ta ketë në vitin 2017, ku parashikohet të gjenerohen të ardhura në rreth 57 milionë euro, ndërsa do të hapen 4,200 vende pune (të pjesshme dhe me kohë të plotë).
Tri do të jenë aspektet kryesore ku TAP të japë edhe kontributin më të madh: në PBB, në punësim dhe në të ardhurat nga taksat. Ndikimi do të jetë direkt (nga TAP AG), indirekt (aktiviteti nënkontraktues, si dhe shpenzimet e atyre që do të angazhohen në këtë projekt. Faza e ndërtimit do të gjenerojë rreth 157 milionë euro mesatarisht në vit.
Natyrisht, përveç këtyre përfitimeve, do të ketë edhe efekte zinxhir. Parashikohet që ndikimi i projektit do të vazhdojë për një periudhë 50-vjeçare.
Institucionet ndërkombëtare, si Banka Botërore e Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim kanë parashikuar rritje pozitive në rreth 3-3.3% të ekonomisë, shifër e cila i atribuohet edhe ndërtimit të këtij gazsjellësi.
Në anën tjetër, duhet të përmenden edhe përfitimet në aspektin gjeopolitik. TAP, por edhe IAP, e vendos Shqipërinë në një pozicion të favorshëm, duke e konsideruar një pikë kyçe në furnizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Burimi: Revista Monitor