Ja si fermerët mund të aplikojnë online për subvencionet

741

Fermerët shqiptarë do ta kenë më të thjeshtë të përfitojnë nga fondi i planifikuar në paketën e mbështetjes për bujqësinë për vitin 2018, që ka shkuar në 2,6 miliard lekë. Nëpërmjet aplikimit on-line për përfitimin e mbështetjes financiare, synohet rritja e transparencës, zvogëlimi i kostove dhe kohës për aplikuesit.

Aplikimi bëhet online, në portalin e-albania pranë Agropikave dhe 36 zyrave të Drejtorive të Bujqësisë/zyrave rajonale të AZHBR-së, ku aplikuesi është rezident. Aplikuesi, plotëson Formularin e Aplikimit, i asistuar nga punonjësi i AZHBR-së;

Aplikuesit, me status “fermer”, para plotësimit të formularit të aplikimit, duhet të kenë plotësuar Regjistrin e Fermës, me të dhënat të këtij udhëzimi.

Në çdo zyrë aplikimi, specialisti i bujqësisë ndihmon aplikuesit me këshilla dhe informacionin e nevojshëm.

Në momentin e përfundimit të aplikimit shfaqet varianti i printueshëm i pranimit të aplikimit, me kodin e aplikimit, masën e aplikimit, datën dhe orën e aplikimit, i cili duhet të mbahet në dy kopje dhe firmoset nga aplikuesi dhe punonjësi i AZHBR-së. Aplikuesi duhet të ruajë formularin e printuar nga sistemi, ndërsa kopja tjetër në rastin e shpalljes fitues të aplikuesit, bëhet pjesë e dokumentacionit të dosjes përkatëse.

Me përfundimin e fazës së aplikimit, sistemi gjeneron automatikisht listat e renditjes së aplikuesve për çdo masë mbështetëse.

AZHBR shpall, në faqen e saj të internetit, listën me renditjen e aplikuesve në rang kombëtar, për çdo masë mbështetëse.

Aplikues për të përfituar nga masat e mbështetjes mund të jenë fermerët me NIPT, grup fermerësh, personat fizikë, personat juridikë, SHBB-të, OJF-të dhe OMP-të, që përmbushin kriteret e përgjithshme.

Burimi: Lexo.al