Juristët Luan Omari, Ismet Elezi dhe Niazi Jaho nderohen me titullin “Mirënjohja e Qytetit”

7

Bashkia e Tiranës ka nderuar dje me titullin “Mirënjohja e Qytetit”, tre konsitucionalistët e njohur, Prof. Dr. Luan Omari, Prof. Dr. Ismet Elezi dhe juristin Niazi Jaho, në një ceremoni të veçantë, ku u nënvizua kontributi i tyre për shumë vite në këtë fushë.

Prof. Dr. Ismet Elezi, tha: “Ju falenderoj nga zemra për organizimin e kësaj ceremonie, të cilën nuk e kishim menduar, por veçanërisht kryetarit të porsazgjedhur të Bashkisë i uroj suksese, nder dhe lavdi në detyrën tij. E falenderoj dhe i shpreh mirënjohjen që ka zgjedhur tre persona, të cilët janë shokë dhe miq shekullorë, punëtorë të orës së parë në drejtësi, me ndjenjën e lartë përgjegjësisë, të ndershmërisë, të ndërgjegjes kombëtare dhe të aftësisë profesionale, duke dhënë kontributin maksimal për drejtësinë tonë”.

Edhe Prof. Dr. Luan Omari dhe juristi i njohur, Niazi Jaho shprehën mirënjohjen e tij për këtë vlerësim: “Ju faleminderit për këtë pritje dhe këtë peshqesh shumë të bukur. I falenderoj të gjithë kolegët e mi që janë këtu dhe shpresoj të kemi ende fuqi që të japim diçka për këtë vend të bukur që trashëgojmë”.

Titulli “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës” tre figurave të njohura akademike iu dha për kontributin e shquar akademik në pasurimin e mendimit juridik, në fushën e kërkimit shkencor, në çështjet kushtetuese e shtetit të së drejtës, në zhvillimin e arsimit të lartë juridik, për përgatitjen e shumë brezave të juristëve dhe profesionistëve të rinj, forcimin dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës, reformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri si dhe promovimin e vlerave më të mira në komunitetin e qytetit.

/ata.gov.al