Ka 300 krerë gjedhë/ Historia frymëzuese e Tafilit që çoi para punën e gjyshit dhe të atit, sot prodhon 35 kv qumësht në ditë

69

Nga vetëm 3 krerë gjedhë sot familja Kasapi në Savër të Lushnjes ka arritur në 300 krerë, që prodhojnë 35 kv qumësht .

Historia e Tafil Kasapit, 32 vjeç, është vërtetë frymëzuese. Tafili, pasi kreu studimet e larta në Mjekësi Veterinare u kthye në fermën blegtorale të të atit për të vijuar profesionin në aktivitetin e familjes dhe me synimin për të rritur prodhimin deri në 10 ton qumësht në ditë.

“Pasi mbarova studimet e larta për mjekësi veterinare në Kamëz merrem me mbarështimin e gjedhit për qumësht. Ne kemi një fermë blegtorale e përbërë nga 300 krerë gjedhë qumështi . Prodhojmë rreth 35 kv qumësht në ditë”, – tha Kasapi.

Ai tregon se është lidhur me përpunuesit e qumështit, të cilët vijnë e marrin çdo mëngjes e marrin me cistern.

“Kjo është puna dhe mundi i gjyshit dhe babait për 30 vite. Vendosëm të merremi e këtë punë, për të mos e braktisur këtë profesion, sepse guri është i rëndë në vendin e vet. Për ne është e mira që ta zhvillojmë këtë pasuri që na ka lënë babai”, – thekson Kasapi.

Duke treguar si e ka nisur këtë biznes, Kasapi, shprehet se “kemi nisur që nga viti 1994-1995 dhe tani kemi arritur tek 300 krerë”.

“Synimi jonë është që brenda një kohe shumë të shkurtër ne të jemi në 600 krerë dhe të prodhojmë rreth 10 mijë tonë qumësht në ditë. Nga eksperienca ime si veteriner mendoj se blegtoria ia vlen të punosh ën vendin tënd, të merresh me blegtori, sepse në fund të ditës ke nëj qetësi familjare e shpirtërore”, – tha Kasapi.