Kandidat për çmimin OSCAR, filmi shqiptari “Delegacioni” premierë në Francë

23

Një skenar origjinal e sjellja e një realiteti me vërtetësi e art regjisorial, e ka bërë filmin Delegacioni , të Bujar Alimanit, jo vetëm të fitojë disa çmime ndërkombëtare, por edhe të ketë premiera të shumta në vende të ndryshme të botës.

Në një njoftim në rrjetet sociale ambasada Shqiptare në Francë ka dhënë lajmin e mirë që filmi me regji të Bujar Alimanit dhe me skenar të Artan Minarollit, do të ketë premierën në kinematë franceze. Lajm i mirë ky që konfirmon edhe hapjen e kinemave në këtë periudhë post pandemie.

Ky film i cili është një bashkëprodhim Shqipëri/Francë/Greqi do të shfaqet më 22 korrik, në kinematë franceze nën titullin  “Le dernier prisonnier”, shprehet ambasada në statusin e saj. Filmi “Delegacioni” edhe pse i referohet realitetit shqiptar, mbart në vete fuqinë e një rrëfimi universal për nevojën e lirisë.

Filmat e Alimanit janë vlerësuar gjithmonë për elementet e tyre historike duke pasur në qendër zhvillimet social-politike të vendit dhe kohës ku vendosen ngjarjet. Në interpretimin e aktorëve të njohur si Viktor Zhustit, Ndriçim Xhepës, Xhevdet Ferit etj., filmi gjithashtu do të përfaqësojë edhe Shqipërinë në garën e madhe për Oscar 2020 në kategorinë për “Filmin Artistik Ndërkombëtar më të mirë.” Duhet theksuar se për shkak të pandemisë globale ndarja e çmimeve Oscar është shtyrë për në prill të 2021.